TIRANË-Më 21 shtator 2014, Papa Françesku zhvilloi një vizitë historike njëditore në Shqipëri, një udhëtim që do të mbetej thellë i gdhendur në kujtesën e shqiptarëve. Ishte udhëtimi i tij i parë në Evropë si Papë dhe ai zgjodhi pikërisht Tiranën për të nisur këtë rrugëtim shpirtëror, duke e cilësuar Shqipërinë si një shembull frymëzues të bashkëjetesës fetare dhe rezistencës shpirtërore.
Në mesazhet e tij publike gjatë vizitës, Papa Françesku u përqendrua në disa tema kyçe: dhembshuria, dialogu ndërfetar, paqja dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor. Në fjalimin e tij nga selia e Presidencës, ai e cilësoi Shqipërinë si një “tokë martirësh”, duke kujtuar përndjekjet fetare gjatë diktaturës komuniste.
“Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë, por që ka ditur të ngrihet, të falë dhe të ndërtojë një model të rrallë të bashkëjetesës fetare”, u shpreh Papa.
Ai theksoi rëndësinë që feja të mos përdoret kurrë si justifikim për dhunë apo përçarje, por si urë që lidh njerëzit përmes paqes dhe dashurisë. Në sheshin “Nënë Tereza”, ku mbajti meshën e shenjtë përpara mijëra besimtarëve, Papa Françesku lëshoi një tjetër mesazh të fortë: Zoti është dashuri. Populli shqiptar ka treguar se besimi mund të qëndrojë i gjallë edhe në kushtet më ekstreme. Le të mos harrojmë martirët që dhanë jetën për lirinë shpirtërore. Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Ju lutem, mbajini të rinjtë në Atdhe, Shqipëria duhet të shpëtojë nga dimri demografik. Ku ka rini, ka shpresë.
Veç vizitës në 2014, Papa Françesku do të mbahet mend nga shqiptarët edhe si njeriu që shenjtëroi në Vatikan Nënën Terezën në 4 shtator të vitit 2016 dhe në nëntor të po atij viti emëroi Dom Ernest Troshanin si kardinal në Vatikan.
Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit u mbajt në disa gjuhë dhe së fundi, në gjuhën e Nënë Terezës, në shqip, u tha lutja që Zoti t’i mbushë barinj e besimtarë me Shpirtin e vet, për ta shuar etjen e Jezusit në vëllezërit.