SARANDË-Personi në foto është Artan Myrtaj, i njohur si “Tani Ruzhdiut”, viktima e atentatit në Sarandë, ngjarje e ndodhur mëngjesin e sotëm pranë ish-agjencisë së vjetër të qytetit. Autorë dyshohen të jenë dy persona të cilët kanë qenë me skafandër dhe motor. Viktima ka qenë duke ecur në këmbë, ndërsa i është zënë pritë nga autorët.
Myrtaj rezulton i arrestuar nga Policia e Sarandës në vitin 2025, për përkrahje të autorit, pas plagosjes së Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt, 32 dhe 24 vjeç. Plagosja e dyfishtë ndodhi më 17 korrik të 2025, për një pronë në vijën bregdetare të Sarandës. Myrtaj u arrestua për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”.
Autor i plagosjes ishte Ramadan Zoto 44 vjeç, ndërkohë që Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj e ndihmuan atë në ngjarje dhe gjatë arratisjes.
Pas ngjarjes së korrikut 2025, në Sarandë u regjistruan edhe episode të tjera kriminale, të cilat u lidhën në atë kohë me një zinxhir të mundshëm hakmarrjesh. Një prej ngjarjeve më të rënda ishte vrasja me lëndë plasëse e Isuf Jaçajt, babait të Klaus Jaçajt. Në një tjetër episod u raportua edhe për dëmtimin e pronës së Ramadan Zotos.
Hetuesit pritet të verifikojnë nëse atentati i mëngjesit të sotëm lidhet me konfliktet e mëparshme apo nëse bëhet fjalë për një ngjarje me motiv tjetër.
Mëngjesin e sotëm Artan Myrtaj u ekzekutua në mes të qytetit duke ecur në këmbë, ndërsa i është zënë pritë nga autorët me motor. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri i plagosur mbeti edhe një kalimtar, Xhevdet Skëndaj.

