Aktualitet

'U vra'-Mirel Çokaj u gjet i pajetë në humnerë, familja kallëzim në AMP: Policët e raportuan si aksident

Policia e Malësisë së Madhe dhe më pas drejtoria vendore e Shkodrës e kanë raportuar si ngjarje aksidentale fillimisht por familja që në momentet e para ka dyshuar se Mirel Çokaj është vrarë

F.I
'U vra'-Mirel Çokaj u gjet i pajetë në humnerë,
Mirel Çokaj dhe motra e tij

SHKODËR-Familja Çokaj ka bërë një kallëzim në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore për 4 punonjës të policisë Malësi e Madhe lidhur me Mirel Çokaj që u gjet i pajetë në një humnerë më 19 shtator. Familjarët kanë dyshime të forta se Mirel Çokaj është vrarë nga bashkëpunëtorët e tij me të cilët kishte një parcelë droge që më pas policia e asgjësoi.

Katër efektivët janë denoncuar nga familja Çokaj për shkak se sipas tyre nuk kanë kryer procedurat hetimore dhe kanë dyshime se kanë shpërdoruar detyrën duke mos vepruar siç duhet për mbledhjen e provave dhe hetimin e kësaj ngjarje të rëndë. Policia e Malësisë së Madhe dhe më pas drejtoria vendore e Shkodrës e kanë raportuar si ngjarje aksidentale fillimisht por familja që në momentet e para ka dyshuar se Mirel Çokaj është vrarë dhe nuk ka rënë aksidenatlisht në mal siç u pretendua në fillim.

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” duke mos pushuar e çështjen që policia e referoi si aksidentale.

Nëna dhe motra e viktimës bashkë me një kushëri të tyre në SHBA, ish oficer policie edhe publikisht kanë deklaruar se janë të bindur për një vrasje të Mirel Çokaj nga bashkëpunëtorët e tij në parcelën e drogës. Sipas tyre, kanabisi ishte gati për t’u korrur, dhe pikërisht në këtë periudhë Çokaj humbi jetën. Dyshimet janë shtuar edhe për faktin se telefoni i tij nuk është gjetur ende, çka ka ngritur hipotezën se mund të jetë zhdukur qëllimisht për të fshehur provat.

Në orët e pasdites së 17 shtatorit fillimisht përmes dronit, efektivët konfimuan se trupi i pajetë i përkiste shtetasit Mirel Çokaj. 24 orë pas njoftimit u bë e mundur nxjerrja e viktimës nga humnera përmes një helikopteri të Forcave të Ushtrisë të cilët erdhën dhe nxorën trupin e pajetë. Pas ngjarjes, policia gjeti dhe asgjësoi 780 bimë kanabis sativa në zonën ku ndodhej parcela./ZËRI

Poll

MOS HUMB