TIRANË-Fletëthirrja e dërguar nga SPAK në emër të Sali Berishës për t'u paraqitur në Prokurori në lidhje me dosjen e 21 Janarit ka krijuar një përplasje në distancë. Berisha pretendoi se nuk i ka ardhur asnjë fletëthirrje dhe nuk u paraqit sot në Prokurori. Nga ana tjetër SPAK informoi se i ka dërguar dy herë fletëthirrjet dhe janë refuzuar nga roja i banesës si dhe me një email zyrtar.
SPAK informon se fletëthirrja është dërguar fillimisht më 3 nëntor në banesë dhe është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” Më pas nga data 7-12 nënor është dërguar sërish në banesën e kreut të PD, Sali Berisha, Kuvend dhe selinë e PD. Edhe fletëthirrjet e datës 7 nëntor janë refuzuar për tu marrë si në banesë, ashtu edhe nga grupi i PD në Kuvend.
Njoftimi i SPAK: Ju informojmë si vijon: Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025). Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025. Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: [email protected], më datë 10.11.2025. Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Berisha e ka quajtur mashtrim reagimin e SPAK dhe pretendon se nuk i ka ardhuar asnjë email në adresën e tij personale. Kreu i PD sqaron se posta ka rregulla dhe pas dorëzimit firmos ai që merr njoftimin.
Sali Berisha: Skapi po mashtron, bëjini bllok numrit të tyre sepse dezinformojnë. Është një gënjeshtër absolute. Ato rojë janë njerëz të përgjegjshëm. Këta janë njerëz të pafytyrë. Janë njerëz të përgjegjshëm të cilët më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty. Dhe, kur organet gjyqësore kanë pasur, e kanë konsideruar të domosdoshme, i kanë dërguar me motoçikletë, me punonjës të policisë, gjykatës, etj, etj dhe nuk ka ndodhur kurrë kjo që thonë ata. Shiko, bëju bllok atij numrit të tyre sepse e kanë agjenci mashtrimi. Prandaj ju lutem shumë, bëjini bllok dhe report atij numrit, thuaju edhe kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën gjë sepse dezinformojnë. Emailin e hap çdo ditë. Nuk kanë dërguar asnjë. Unë email nuk përdor dhe nuk kam email në parlament. Nuk përdor email në parlament. Në qoftë se e kanë hapur dhe është, ato kanë rregulla komunikimi. Nuk është emaili ajo që komunikon. Posta ka rregulla, dorëzon njoftimin, firmos ai që merr njoftimin. Duket se kanë nisur pas këtyre bisedave, kanë hapur ndonjë llogari emaili kastile për këtë punë. Normalisht deputetët duhet të kenë llogari emaili, por unë nuk e kam përdorur kurrë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për tu pyetur për 21 janarin. Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI