Aktualitet

U ndalua në Morinë/ Nga informacionet sekrete te makina gjatë arratisë...Si dyshohet se e ndihmoi Vlora Hyseni Ergys Agasin?

Sipas informacioneve, Hyseni është vetëdorëzuar tek autoritetet kosovare dhe më pas u është dorëzuar autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave ligjore.

zh.ll
U ndalua në Morinë/ Nga informacionet sekrete te makina gjatë
vlora hyseni-ergys agasi

TIRANË- Drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, u pezullua nga detyra dhe ndaj saj u caktua masa "arrest shtëpi", ndërsa disa orë më vonë, ajo u ndalua në pikën kufitare të Morinës, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në momentin që është bërë publik vendimi për masën e sigurisë, mësohet se Hyseni ndodhej në Prishtinë pas përfundimit të vizitës në Baku të Azerbajxhanit.

Sipas informacioneve, Hyseni është vetëdorëzuar tek autoritetet kosovare dhe më pas u është dorëzuar autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave ligjore. Rreth orës 19:00, ajo është marrë nga autoritetet shqiptare në Morinë të Kukësit.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga detyra si drejtoreshë e SHISH. Ajo akuzohet për“Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Hyseni dyshohet se ka nxjerrë nformacione sekrete të shtetit duke ndihmuar në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se dyshimet e hetuesve janë ngritur mbi prova të siguruara nga të dhëna të administruara nga telefoni i Agasit në momentin e arrestimit, si dhe nga disa pamje filmike të sekuestruara në zyrën e tij.

Dyshimet janë se Hyseni ka informuar Agasin për lëvizjet e Policisë gjatë kohës që ai ishte në arrati. Lidhur më këtë, janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të klasifikuara sekrete të SHISH gjatë kontrolleve në banesën e Agasit dhe ish-efektivit Uljan Shpatarakut. Madje, dyshohet se Hyseni mund t'i këtë vënë në dispozion Agasit edhe automjetet e saj për të lëvizur teksa ndodhej në arrati. 

Ndërkohë, përveç masës ndaj kreut të SHISH, dy masa të tjera sigurie janë dhënë edhe për drejtuesin në Laboratorin Shkencor të Policisë, Fatjon Kalluçi, si dhe për biznesmenin durrsak Embro Sulejmani. Ky i fundit, administratori dhe kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente.

Ditë e djeshme, 22 shtator, SPAK dhe BKH ushtruan kontrolle edhe në banesën e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, pasi dyshohet se emri i tij ka dalë nga 'zbërthimet' e telefonit të Agasit. Kontrollet u shtrinë deri në Shkozet të Durrësit, edhe në bazat e grupit të njohur si "Troplini" në Durrës, atje ku dyshohet se Ergys Agasi ka kaluar një pjesë të arratisë të tij. 

Megjithatë, deri më tani, nuk ka një informacion zyrtar mbi rrethanat konkrete të ndalimit dhe dorëzimit të Hysenit, teksa detaje të reja pritet të dalin në vijim./ZËRI

Poll

MOS HUMB