TIRANË-Reperi dhe TikToker-i i njohur Kleviol Ahmeti i njohur me pseudonimin “Cllevio” ndodhet në burg pasi u ekstradua nga Dubai në Shqipëri një ditë më parë (9 tetor). Avokati Ervin Karanxha në lidhje me çështjen e reperit, zbuloi se Cllevios i rrezikohet jeta për shkak të konflikteve të shumta të tij me persona të tjerë dhe i duhen krijuar kushtet e sigurisë.
“Këto kanë qenë konflikte të ndryshme që kemi parë më herët. Clevio është ekstraduar dhe ndodhet aktualisht në ambientet e IEVP-së. Për shkak se ai ka ngritur pretendime se i rrezikohet jeta nga persona me të cilët ka pasur konflikte në të kaluarën, duhen marrë masa për të garantuar siguri maksimale. Organet e burgut duhet të ndërhyjnë për të siguruar mbrojtjen e tij, qoftë edhe përmes ajrosjes së kufizuar. Dihet gjithashtu që Clevio ka thyer më parë masën e arrestit dhe aktualisht priten procedurat e mëtejshme ligjore. Ai është një reper i njohur, falë aftësive të tij artistike, por ka qenë shpesh i përfshirë në konflikte të ndryshme. Duke qenë i izoluar, është e rëndësishme të krijohen kushtet e nevojshme për ta mbrojtur. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë edhe i pafajshëm, ndaj trajtimi i tij duhet të jetë në përputhje me të drejtat e njeriut dhe sigurinë e nevojshme"- u shpreh avokati Ervin Karanxha për në emsionin Breaking në Top News.
39-vjeçari kërkohej nga autoritetet në Tiranë dhe Fier për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë. Në 2024, Gjykata e Apelit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, nën akuzë për përndjekje të Rigels Rajkut (Noizy) dhe familjes së tij. Po në të njëjtin vit është dënuar me 9 muaj burg për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Kujtojmë se Kleviol Ahmeti në Shqipëri është denoncuar nga reperi Rigels Rajku, për kërcënime dhe përndjekje ndaj tij./ZËRI

