TIRANË- Gjykata e Apelit ka liruar biznesmenin Italianin Davide Pecorelli, i cili u akuzua për inskenimin e vdekjes së tij në Pukë rreth pesë vite më parë. Mësohet se Gjykata e Apelit deklaroi italianin të pafajshëm për veprën penale të mashtrimit, duke ndryshuar akuzën nga shkatërrim prone me zjarr me pasoja të rënda, për shkatërrim prone me zjarr. Sipas asaj që bëhet me dije nga vendimi i Gjykatës, theksohet se duke pasur parasysh periudhën e paraburgimit të kryer në Itali dhe Shqipëri, dënimi konsiderohet i vuajtur dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm.
Vendimi:
Davide Pecorelli, i datëlindjes 23.11.1975, lindur në Perugia, “Citta di Castello” dhe banues në “San-Giustino” (PG), me adresë Rruga “Dei Fabri”, Nr. 9, Itali, mbrojtur nga av. Admir Thanza dhe av. Neritan Cena, zgjedhur prej tij.
Për kryerjen e veprave penale të “Mashtrim” të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.
Për kryerjen e veprës penale të “Dhunimi i varreve” të parashikuar nga neni 118-25 i Kodit Penal.
Për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes” të parashikuar nga neni 301-25 të Kodit Penal. Për kryerjen e veprës penale të “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të
parashikuar nga neni 151/2 i Kodit Penal. Për kryerjen e vepres penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, të
Viktima: parashikuar nga neni 297 të Kodit Penal.
Shoqëria tregtare “Airport Taxi” sh.p.k. NIPT:L34805201A, Rinas.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me vendimin Nr. 1982 dt.18.09.2025
VENDOSI:
Lënien në fuqi të vendimit Nr.749(1699) datë 3.4.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me këto ndryshime:
1.Deklarimit të pafajshëm të pandehurit Davide Pecorelli për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/3 i K.Penal.
2.Deklarimin fajtor të pandehurit Davide Pecorelli për kryerjen e veprës penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151/1 i K.Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim. – Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal dënimin e të pandehurit Davide Pecorelli me 14 (katërmbëdhjetë) muaj burgim
-Bazuar në neni 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, ulet 1/3 e dënimit dhe i pandehuri Davide Pecorelli dënohet përfundimisht me 9 (nëntë) muaj e 10 (dhjetë) ditë burgim.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit, pasi ka vuajtur dënimin me kohën e paraburgimit.
Davide Pecorelli u bë i njohur në mediat italiane dhe shqiptare në vitin 2021, kur u raportua fillimisht si i zhdukur në Shqipëri. Më vonë u zbulua se kishte inskenuar vdekjen e tij, duke shkaktuar hetime të shumta dhe debat publik.
Si e inskenoi zhdukjen?
Davide Pecorelli u zhduk në janar të 2021 në qytetin e Pukës, ku një makinë që ishte marrë me qera prej tij, u gjet e djegur në një zonë të thellë, të pambuluar me kamera sigurie. Brenda makinës u gjetën dhe mbetje skeletore, që fillimisht u dyshua se i përkisnin biznesmenit.
Teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator 2021 Davide Pecorelli, u shfaq për mrekulli shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo. Më pas ai tronditi jo pak me historinë që tregoi, duke thënë se për 9 muaj, kur të gjithë e kishin shpallur të zhdukur, ai kishte qenë në kërkim të një thesari. Me itinerarin nga Rinasi drejt Shkodrës e më pas në Pukë ai humbi gjurmët duke djegur brenda automjetit një skelet të cilin rezulton se e ka marrë duke dëmtuar një varr në varrezat e Pukës.
Për disa javë ky u bë lajmi që shqetësoi hetuesit mes Italisë e Shqipërisë ku një grup i posaçëm zbarkoi në Pukë. Por teksa hetimet ishin në vijim, rezultoi se eshtrat e gjetura në automjetin e djegur model Skoda i përkisnin një tjetër ADN-je dhe jo pemës gjenetike të familjes Pecorelli./ZËRI



