Aktualitet

Tregu i '5 Majit' shkrumb e hi, Policia: Zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike

Zjarri që shkrumboi 10 mijë metra katror kapanone te ish-tregu “Uzina Dinamo” u shkaktua nga një shkëndijë elektrike.

F.I
Tregu i '5 Majit' shkrumb e hi, Policia: Zjarri u shkaktua nga
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar pas zjarrit që përfshiu tregun e "5 Majit' Tiranë mbrëmjen e 8 janarit. Në njoftim thuhet se në kuadër të hetimeve nën drejtimin e Prokurorisë zjarri që shkrumboi 10 mijë metra katror kapanone te ish-tregu “Uzina Dinamo” u shkaktua nga një shkëndijë elektrike.

"Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njofton Policia.

Flakët kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërsa tregtarët shprehen se dëmi financiar është tejet i konsiderueshëm, pasi i gjithë malli që shisnin ishte aty. Situata ishte teje e vështirë ku në ndihmë erdhën përforcime nga shërbimet zjarrfikëse të bashkive Vorë, Kamëz dhe Elbasan, si dhe ndërhyrje nga Ushtria.

Shumica e dyqaneve tregtonin produkte elektroshtëpiake, ndërsa dëmet sipas pronarëve të tyre janë të pallogaritshme. Një pjesë e tregtarëve jashtë kamerave janë shprehur se zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi në zonën në fjalë pritet që të ndërtohen pallate. Tregtarët kërkojnë përgjegjësi për menaxhimin e situatës dhe garanci nga institucionet për dëmshpërblim./ZËRI

Poll

MOS HUMB