Aktualitet

Flakët përpinë tregun e 5 Majit, tregtari: Zjarrfikësja erdhi me vonesë, nuk kishte ujë

Tregtari Skënder Subashi, i cili prej 30 vitesh shet në këtë treg, tregon për ZËRIN se lajmin e mori vesh nga nipi i tij dhe më pas arriti në dyqan për të shpëtuar mallin, i cili fatkeqësisht u dogj i gjithi nga flakët

Loreta Koleci
Flakët përpinë tregun e 5 Majit, tregtari: Zjarrfikësja
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-  Kjo është ajo çfarë ka ngelur pas nga zjarri që përfshiu 200 biznese në tregun e 5 Majit. Aktualisht forcat zjarrfikëse, po ashtu edhe policia, ndodhen në terren për të bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit.

Tregtari Skënder Subashi, i cili prej 30 vitesh shet në këtë treg, tregon për ZËRIN se lajmin e mori vesh nga nipi i tij dhe më pas arriti në dyqan për të shpëtuar mallin, i cili fatkeqësisht u dogj i gjithi nga flakët.

Ai denoncoi se zjarrfikësja erdhi me vonesë dhe kapanoni i tretë, aty ku ndodhej edhe dyqani i tij, u dogj nga mosndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse. Sipas tij, ata u njoftuan që në orën 17:00 dhe arritën dy orë më vonë në vendngjarje.

Ndër të tjera tregtari u shpreh se zjarrfikësja kur mbërriti nuk kishte ujë për të shuar flakët. Subashi thekson se pas kësaj situate nuk ka shpresë që shteti ta dëmshpërblejë.

 
 

Si e morët vesh që kishte rënë zjarr?

TREGTARI: “Zjarrin e kemi marrë vesh që në 17:00, më ka marrë nipi im, ka qenë nipi me motor këtu. Zjarri ka rënë tek 2 në fillim, aty. ujë Turp, turp për drejtuesin e zjarrit”.

Sa dëm është shkaktuar?

TREGTARI: “Më janë djegur të paktën 5 magazina mall, dëm i paparë, nuk po e them me shifra, por dëm i paparë. Këtu tek vajza ime janë djegur 5 magazina, 4 dykatëshe dhe një atje, pesë. Mall i paparë, nuk po e them shifrën.”

A ka ardhur dikush nga bashkia për t’ju pyetur për gjendjen?

TREGTARI: “As s’ka ardhur njeri, as s’ka pyetur njeri, nuk na lejonin që të futeshim, policia bashkiake bashkë me policinë e rendit. Drejtuesi i policisë, drejtuesi i zjarrëfikëses nuk janë të aftë. Futen njerëz të paaftë në punë, partiakët, prandaj ndodhin këto gjëra, gjithandej ndodhin këto. Duhen njerëz të aftë në punë.”

Çfarë do bëni pas kësaj situate?

TREGTARI: “Çfarë të bëjmë? Çfarë të bëjmë? S’kemi çfarë të bëjmë. Të vëmë duart në kokë, çfarë tjetër… s’kemi çfarë të bëjmë. As nuk na ka thirrur njeri, këtu nuk merret vesh, bëhet si të duan, kush është më i fuqishmi. Asnjë gjë këtu nuk bëhet në këtë vend.”

Ngjarja në tregun e 5 Majit ka lënë pas qindra biznese të shkatërruara dhe familje pa burim të ardhurash. Ndërsa jashtë kamerës së ZËRIT tregtarët kërkojnë përgjegjësi për menaxhimin e situatës dhe garanci nga institucionet për dëmshpërblim./ZËRI

Poll

MOS HUMB