SHKODËR- Vetëm pak minuta më parë, një banesë u përfshi nga flakët në fshatin Domen, në njësinë administrative Postribë të Shkodrës, ku humbi jetën një nënë së bashku me dy fëmijët e saj.
Viktima është Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 1 dhe 3 vjeç. Sipas informacioneve paraprake, 24-vjeçarja ishte kthyer së fundmi nga Gjermania. Ajo kishte shkuar në shtëpinë e pabanuar për ta pastruar, e cila iu përket prindërve të saj.
Banesa, e cila ndodhej në një zonë të thellë malore, rreth 30 minuta në këmbë nga rruga automobilistike, ishte pothuajse tërësisht e djegur kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje. Vështirësia e terrenit ka penguar ndërhyrjen e shpejtë të ekipeve të emergjencës. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje tragjike./ZËRI
