TIRANË- Ishte kulmi i sezonit turistik, vera e vitit 2022, kur një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik: një fëmijë vetëm 7 vjeç humbi jetën tragjikisht, pasi u godit nga helikat e një mjeti lundrues. Sot, në verën e vitit 2025, i vetmi ndryshim i dukshëm është se autori i ngjarjes, Arjan Tase, po vuan një dënim prej 12 vitesh burg. Ndërsa jashtë qelive, rreziku vijon të jetë po aq i pranishëm.
Jet-Ski me qira, një rrezik i keqorganizuar
Përkundër numrit në rritje të viktimave dhe të plagosurve çdo verë, dhënia me qira e motorëve të ujit mbetet një aktivitet i paorganizuar dhe shpesh i pakontrolluar. Edhe pse tregu është i rregulluar me ligj, zbatimi i tij është i mangët, siç u dëshmua në rastin e Potamit, ku aksidenti fatal i mori jetën një fëmije.
Një nga rregullat më bazike, por edhe më të shpërfillura, është respektimi i distancës nga bregu. Vendimi i vitit 2019 përcakton qartë se motorët e ujit duhet të lëvizin jo më pak se 300 metra nga zona e notimit, me qëllim mbrojtjen e pushuesve.
Për më tepër, çdo stacion plazhi është i detyruar të vendosë sinjalistikë me bova të kuqe, të lidhura me litarë pluskues çdo 30–50 metra përgjatë zonës së notimit, dhe të kontrollojë rregullisht pozicionin e tyre. Në realitet, këto rregulla shpesh injorohen, çka ka çuar në aksidente të njëpasnjëshme.
Të dyja këto rregulla janë shkelur jo pak herë që kanë sjellë aksidente të shumta në det, pasi drejtuesit e Jet Ski-ve nuk kanë respektuar distancën.
Më 3 gushtit të vitit 2016, turisti rus Denis Kaiumov u godit për vdekje nga një mjet motorik lundrues teksa notonte në plazhin e Livadhit në Himarë. Dyshohet se mjeti ujor i ka kaluar sipër 43-vjeçarit, i cili po lahej në det, duke i shkaktuar prerje të mëdha në trup, si dhe ka humbur njërën gjymtyrë. Ai u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Ndërsa, mjeti që e goditi u largua nga vendngjarja. Kjo ngjarje ka mbetur e pandëshkuar. Fillimisht u arrestua një person, por më pas u la i lirë pasi nuk u arrit të provohej se ai ishte autori i dëmtimit me vdekje të turistit rus.
Më 21 korrik të vitit 2017, një 15-vjeçare nga Rusia, Ksenia Riok humbi jetën në mënyrë tragjike pasi u godit nga një mjet lundrues në plazhin e Ksamilit. Dëshmitare e ngjarjes u bë nëna e saj, por autori i ngjarjes e fshehu mjetin lundrues me të cilin shkaktoi aksidentin dhe kjo gjë bëri që ai t’i shpëtonte drejtësisë.
Më 20 gusht 2023, 4 adoleshentë u aksidentuan me dy “Jet Ski”, teksa kryenin manovra gjatë lundrimit në det në Himarë në plazhin e Llamanit. Të katërt morën plagë të rënda në fytyrë dhe kokë.
Verën e një viti më parë dy Jet-Ski, që drejtoheshin nga dy kunetër italianë, të cilët kishin ardhur me pushime në Shqipëri, u përplasën në plazhin e Velipojës. 19-vjeçari Nicola Iorio ndërroi jetë, ndërsa kunati i tij, Salvatore Di Tella, u vu nën akuzë për vrasje nga pakujdesia.
Ndërsa këtë vit, Silvester Dheug, 34 vjeç, me banim në Angli, ndërroi jetë në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ndërsa partnerja e tij, Vera Ruani, përfundoi në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy të huajt, janë me origjinë nga Gana, por me dokumente angleze u aksidentuan teksa kryenin manovra në ujë me Jet Ski.
Por si jepen me qira këto mjete lundruese dhe cilat janë kushtet për përdorimin e tyre?
Në çdo zonë bregdetare ka operatorë turistikë të certifikuar nga Ministria e Turizmit që e ushtron këtë veprimtari dhe rregullat janë shumë të qarta. Askush nën moshën 18 vjeç nuk mund të marrë me qira një motor uji dhe drejtuesi duhet të jetë i pajisur me leje-drejtimi përkatëse të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare. Personat që do të udhëtojnë në mjetin lundrues duhet të jenë të pajisur me jelekë shpëtimi.
Kontrolli i aktivitetit të këtyre mjeteve sipas ligjit për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, është përgjegjësi e Policisë Kufitare.
Paralelisht me të, qeveria ka ngritur dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit apo edhe Njësinë Policore Detare, por siç duket këto institucione kanë dështuar në kryerjen e detyrës ligjore për të garantuar sigurinë në plazhe.
Por, a e tregojnë zbatimin e rregullave, episodet tragjike që ju renditëm?