Aktualitet

GJKKO dënon me burg ish-shefin e Antidrogës së Durrësit

GJKKO vendosi ndaj tij dënimin me 3 vite e 6 muaj heqje lirie, por për shkak se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, i ulet 1/3 e kohës së dënimit. 

k.m.
GJKKO dënon me burg ish-shefin e Antidrogës së Durrësit
Gazmir Preçi

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-shefin e Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi. Preçi u deklarua fajtor nga GJKKO për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. GJKKO vendosi ndaj tij dënimin me 3 vite e 6 muaj heqje lirie, por për shkak se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, i ulet 1/3 e kohës së dënimit. 

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 170, të vitit 2024, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit Gazmir Preçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 paragrafi 2 i Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 50, datë 14.07.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Gazmir Preçi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 paragrafi i 2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Gazmir Preçi me 2 vjet e 4 muaj burgim. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gazmir Preçi për 5 (pesë) vjet.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Gazmir Preçi do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit në flagrancë të tij, datë 15.08.2024 dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Preçi u arrestua në flagrancë më 15 gusht 2024, duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, nga pronari i një lokali me muzik live pranë Urës së Dajlanit. Shkëmbimi i parave u bë në një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë, nën mbikqyrjen e AMP-së dhe autorizmit të dhënë nga Prokuroria e Posaçme. Në dëshminë e tij, dhënë para Gjykatës, Preçi ka kërkuar lirinë me pretendimin se është babai i 3 fëmijëve të mitur. Po ashtu ai ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për shumën e parave që pronari i lokalit kishte në zarf./ZËRI

Poll

MOS HUMB