
ATHINË- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja në Greqi, ku dy vëllezërit shqiptarë 17 dhe 19 vjeç vranë kushëririn e tyre 28-vjeçar. Dy vëllezërit, Enis dhe Aleksandros Loka, i prenë fytin kushëritit të tyre Denis Loka dhe e lanë në mes të rrugës, trupi i tij u gjet nga një patrullë e policisë rrugore greke. Sipas dëshmisë së tyre në polici, ata thanë se janë përdhunuar nga kushëriri i tyre 12 vite më parë. Ata thanë se ishin 5 dhe 7 vjeç kur, Denis Loka në atë kohë ishte rreth 16 vjeç kur abuzoi me ta. Më tej, ata shtuan se kushëriri i tyre nuk pushoi së i shqetësuari deri pak kohë më parë. 19-vjeçari, Aleksandros tha se ai foli për herë të parë me vëllain e tij 17-vjeçarin Enis, 2 vite më parë, pasi kuptoi se të dy kishin kaluar të njëjtin makth.
“Ne kemi lindur në Greqi, por kur unë isha 6 vjeç (dhe vëllai im ishte 4 vjeç) ne u larguam si familje dhe jetuam për dy vjet në Shqipëri. Edhe kushëriri im ishte në një shtëpi aty pranë. Ky kushëriri im më ngacmonte seksualisht dhe bëhej më i dhunshëm me kalimin e kohës. Isha i ri, nuk e kuptoja, por pak nga pak e ndjeva se diçka nuk ishte normale. Këto gjëra ndodhën kur ne ishim atje për ato dy vjet. Më pas u kthyem në Greqi dhe qëndruam në Kypseli. Që atëherë e tutje u ndjeva sikur isha traumatizuar nga këto ngjarje dhe isha shumë i tërhequr. Kur u bëra 16 vjeç, ndjeva se po e kaloja ngadalë. Nuk kisha folur me askënd. Ndërkohë, pashë që edhe vëllai im ishte shumë i mbyllur dhe nuk më fliste dhe mendova se edhe ai e kishte ngacmuar. Para dy vitesh folëm hapur me vëllain tim dhe ai më konfirmoi se gjatë kohës që ishim në Shqipëri, dhe ai u dhunua seksualisht prej Denisit. Prindërve u thamë vitin e kaluar në gusht, deri atëherë ata nuk dinin asgjë, por u tronditën kur i njoftuam. Në përgjithësi, të dy menduam se na ka shkatërruar jetën. Babai im në një moment (tetor 2023) kontaktoi me të dhe e pyeti nëse ishte e vërtetë dhe ai e pranoi. Pas kësaj ai më dërgoi një mesazh për të kërkuar falje për atë që ndodhi në të kaluarën. Të dielën mbrëma ai dërgoi në Instagram që të takoheshim të gjithë bashkë për të biseduar dhe organizuam të takoheshim në Fokionos Negri të hënën 10.07.2024, në orën 20.30-21.00,”- tha 19-vjeçari në dëshminë e tij.
Vëllai i tij i mitur konfirmon fjalët e 19-vjeçarit, duke theksuar, njëkohësisht, se makthi për fëmijët nuk u ndal. Shpesh 28-vjeçari komunikonte me të duke dërguar mesazhe nga rrjetet sociale.
“Ai është kushëriri ynë. Kur ishim të vegjël ai abuzoi seksualisht mua dhe vëllain tim kundër dëshirës tonë në Shqipëri ku jetonim të gjithë bashkë. Që atëherë nuk e kam parë, por herë pas here më dërgon mesazhe në aplikacionin Instagram dhe më pyet se çfarë po bëj. Sot na tha që të takohemi të gjithë bashkë në mbrëmje në rrugën Chanion. E kisha me vete një thikë për siguri”, ka rrëfyer në dëshminë e tij 17-vjeçari.
Sipas mediave greke, disa të afërm të tyre ishin në dijeni që 28-vjeçari kishte abuzuar seksualisht me ta dhe i kishte kërkuar të mos i shqetësonte më, por ai sërish vazhdonte t’i shkruante. Avokati i dy vëllezërve tha se ata ishin nxënës të shkëlqyer dhe nuk kanë asnjë precedent të mëparëshëm penal. Ai gjithashtu konfirmoi se ata shqetësoheshin vazhdimisht nga kushëriri i tyre edhe pse babai i fëmijëve i kishte thënë të mos i shqetësonte më.
28-vjeçari shkoi në Greqi më 7 tetor. Dy vëllezërit e telefonuan dhe i lanë një takim në Kypseli. Kur ai mbërriti në vendngjarje pa dyshuar asgjë, vëllezërit e pyetën: Pse na abuzove kur ishim fëmijë? Në këtë moment, viktima u është përgjigjur: Çfarë e hapni këtë temë tani, ne të gjithë ishim fëmijë!
Kjo përgjigje ka inatosur dy vëllezërit, të cilët me një thikë e kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Për ngjarjen, në Greqi nuk ka asnjë denoncim për abuzimin e dy vëllezërve dhe autoritetet po hetojnë nëse ka pasur në Shqipëri ndonjë çështje të hapur. Përveç dy vëllezërve janë arrestuar edhe prindërit e tyre, pasi njëri prej tyre është i mitur.
Autorët u dorëzuan vetë në Polici. 17-vjeçari ka treguar se ishte ai personi që e plagosi me thikë, plagë që më pas i morën jetën 28-vjeçarit, ndërsa për 19-vjeçarin tha se kishte qenë bashkëpunëtor./ZËRI