Aktualitet

Tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarin, SPAK sekuestron pronat e Nikolla Hafësllarit

Nikolla Hafësllarit i janë sekuestruar dy garazhde, dy apartamente dhe një automjet tip 'Audi'.

F.I
Tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarin, SPAK sekuestron
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- SPAK ka sekuestruar pasuritë e Nikolla Hafësllarit, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, vepër e kryer në bashkëpunim. Nikolla Hafësllarit i janë sekuestruar dy garazhde, dy apartamente dhe një automjet tip 'Audi'.

Hafësllari, ishte pjesë e grupit të 5 personave të tjerë Nikolla Jesku, Blerand Kozici, Artiana Kozici, Dritan Tabaku, që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Koziçin, i arrestuar për trafikim refugjatësh. Në lidhje me rastin Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 3 vite burg avokatin dhe ish-kryetarin e dhomës së Avokatisë, Arben Lena. Sipas përgjimeve të SPAK, Lena i ka kërkuar ish-asistentes së tij të mbante në zyrë një zarf me 5 mijë euro, i cili mendohet se ishte ryshfet për të ndryshuar masën e sigurisë për të dënuarin, Bledar Koziçi për transport të paligjshëm të emigrantëve. 

NJOFTIMI:

SPAK sekuestron pasuritë e një shtetasi të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur ankimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për procedimin pasuror nr.9 të vitit 2025, për të cilin vijojnë hetimet. Procedimi ka të bëjë me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit, Nikolla Hafësllari dhe personit të lidhur, Erjol Mekshi.

Shtetasi Hafësllari akuzohet për veprën penale; “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim (nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal).

Ankimi është bërë kundër vendimit nr.18 datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Gjykata e Apelit me vendimin 262, datë 2.12.2025 vendosi:

Ndryshimin e vendimt nr.18, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme së  Shkallës së Parë dhe pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për:

Sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:

Garazh me nr 6, kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,

Garazh me nr.7 , kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,

Automjet i markës “Audi”, modeli A6, viti i prodhimit 2005.

Apartament, nr.19/1, shkalla 2 kati III, me sip totale 87.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.

Apartament, nr 21, shkalla 2 kati III, me sip totale 61.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.

Për ekzekutimin e këtij vendimi janë ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore dhe  përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme ngarkohen administratorët e kësaj agjecie.

Poll

MOS HUMB