Aktualitet

Tatimet "zbarkojnë" në jug të vendit, "mësyjnë" te agjencitë imobiliare, dyshime për evazion në çmimet e shitjeve

Në këto dy qytete, janë konstatuar raste të evazionit fiskal, teksa janë identifikuar agjenci imobiliare dhe kompani ndërtimi të regjistruara, të cilat operojnë me një nipt të vetëm.

zh.ll
Tatimet "zbarkojnë" në jug të vendit,
foto ilustruese

TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbritur në terren që prej 16 janarit dhe ka vijuar aksionin për nëndeklarimin e pagave në sektorin e ndërtimit, në Vlorë dhe Sarandë. Gjatë ushtrimit të këtyre kontrollev, janë konstatuar shkelje të rëndë të legjislacionit tatimor të kryera me qëllimin shmangien e detyrimeve tatimore.

Konkretisht, janë identifikuar agjenci imobiliare dhe subjekte ndërtuese të regjistruara dhe që operojnë me një nipt të vetëm, duke shkaktuar struktura të përbashkëta me risk të lartë fiskal. Nga verifikimet e kryera në këto subjekte, është evidentuar vepra e evazionit fiskal në shuma të konsiderueshme.

Çmimet reale të tregut rezultojnë më të larta se çmimet e referencës dhe mospërputhje mes çmimeve të deklaruara në kontratat noteriale. Në funksionit të vijimit të hetimeve, janë sekuestruar njësi kompjuterike me të dhëna kompjuterike, të cilat i janë nënshtruar analizave të specializuara.

Që nga 16 janari, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se kanë filluar kontrollet në terren, në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit. 

Ashtu siç është paralajmëruar edhe më herët nga Tatimet, kontrollet do të kryhen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për deklarimin e pagave, në sektorin e ndërtimit. Hetimet e tatimeve në këtë sektor janë shtrirë edhe tek shitja e apartamenteve, përfshirë edhe parapagimet nëse shoqërohen me fatura të rregullta transaksioni, tek shoqërimi i mallrave me faturë apo deklarimi i saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve.

Prej 1 dhjetorit 2025, tatimet miratuan nivelet e pagave referuese për profesion në sektorin turizëm, me qëllim identifikimin e tatimpaguesve me risk. Sipas listës së publikuar për 45 profesione në sektorin e turizmit, me përjashtim të sanitarëve që do të kenë si dysheme pagën 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarave e tjerë nuk duhet tu deklarohet rrogë nën 80 mijë lekë. Pagat mesatare të sektorit janë nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë.

"Bëjmë me dije se çdo tatimpagues, që deklaron paga nën nivelin e pagave indikative, apo që ndryshon profesionin e punonjësve me qëllim shmangien e deklarimit real të pagave, duke rrezikuar pagesën e kontributeve shoqërore dhe pensionin do të konsiderohet me risk dhe si i tillë do i nënshtrohet kontrollit nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.", ka njoftuar Administrata Tatimore./ZËRI

Poll

MOS HUMB