Aktualitet

"Zero tolerancë"! Tatimet në aksion kundër nëndeklarimit të pagave në ndërtim, "zbarkojnë" në agjencitë imobilare në Tiranë

Përmes një njoftimi publik, Administrata Tatimore bën me dije se ka ushtruar kontrolle në agjencitë imobiliare më të mëdha në vend, konkretisht në 9 subjekte, që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.

zh.ll
"Zero tolerancë"! Tatimet në aksion kundër
pamje nga aksioni i tatimeve

TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur verifikimet ndaj subjekteve ndërtuese, kundër pagave të nëndeklaruara. Ashtu siç ishte paralajëmruar, kontrollet janë kryer kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për deklarimin e pagave.

Përmes një njoftimi publik, Administrata Tatimore bën me dije se ka ushtruar kontrolle në agjencitë imobiliare më të mëdha në vend, konkretisht në 9 subjekte, që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare. Sipas njoftimit, nga kontrollet janë evidentuar shkelje të rënda "punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmime dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve”.

Administrata Tatimore bën me dije se aksioni do të vijojë pa tolerancë e kompromis, ndërsa paralajmëron subjektet që të marrin masat e nevojshme për të shmangur masat administrative dhe ligjore.

Njoftimi:

Në zbatim të Planit Operacional në sektorin e Ndërtimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren, ka ushtruar kontrolle në 9 subjekte, që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.

Kontrollet u fokusuan në verifikimin e deklarimit të pagave reale të punonjësve, regjistrimin e tyre në organin tatimor, realizimin e shitjeve, lëshimin e faturave të fiskalizuara, si dhe kryerjen e verifikimeve të tjera të nevojshme gjatë procesit të kontrollit.

Kontrollet evidentuan shkelje të rënda: Punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmime dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve.

Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore sekuestruan edhe njësi kompjuterike, me qëllim vijimin e hetimit të thelluar, dokumentimin e mëtejshëm të shkeljeve tatimore dhe referimin në organet përkatëse të drejtësisë. Nga informacioni i marrë në njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor në lidhje me çmimet e shitjeve të apartamenteve.

Administrata Tatimore bën me dije se aksioni i sapo nisur nuk është i përkohshëm. Ai do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik.

Ftojmë të gjithë tatimpaguesit në fushën e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale, për të shmangur masat administrative dhe penale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për veprën e fshehjes së të ardhurave./ZËRI

Poll

MOS HUMB