
ELBASAN- Prokuroria e Posaçme kudnër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një aksion sot në Elbasan. Me urdhër të prokurorëve Altin Dumani dhe Vladimir Mara, janë ushtruar kontrolle në kuadër të hetimeve për Suel Çelën. SPAK ushtruar kontrolle në shtëpinë e Nazif Bajramit, i cili është një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit në Elbasan.
Po ashtu, kontrolle u ushtruan edhe në shtëpinë e Mariglen Çokut, i cili është administrator i ekipit të Futbollit të Elbasanit, por edhe tek shtëpia e drejtorit të Ujësjellës Kanalizime Elbasan, Luan Tabaku. Mësohet se në operacionin e sotëm janë bërë kontrolle, sekuestruar dokumente, sende dhe para.
Por kush është Nazif Bajrami?
Nga një person, që akuzohet nga agjensitë e huaja ligjzbatuese si person i përfshirë në trafik droge, në Shqipëri Nazif Bajrami nisi një "jetë të re" si biznesmen. Me kompaninë e tij "Bajrami N." ka marrë gjithsej 66 tendera publikë, ku më shumë se gjysma e tyre kanë shënuar me flamur të kuq nga "Open Procurement".
Kompaninë e ka hapur që në vitin 2000, por me kalimin e kohës ka hyrë fuqishëm në treg duke grumbulluar mbi 50 milionë euro tendra publikë, kryesisht në Bashkinë e Elbasanit, por jo vetëm. Një "dorë" duket se ia jepte edhe e shoqja, Anduena Bajrami (Prifti), e cila ka mbajtur postin si nënkryetare e Bashkisë, si me Qazim Sejdinin, ashtu edhe me Gledian Llatjan.
Sipas mediave që e kanë investiguar më parë, vetëm gjatë viteve 2017-2020, në Prokurorinë e Elbasanit, firmat ndërtimit dhe pronar tokash, kanë depozituar 45 kallëzime penale kundër Nazif Bajramit të firmës “Bajrami N. Shpk”, duke e akuzuar për falsifikime dokumentesh, fondesh limit, procedurash e favorizim në gara tenderuese. Por asnjë nuk është marrë për bazë. Nga të gjitha këto kallëzime; 3 janë pushuar në gjykatë, 27 janë pushuar nga prokuroria, ndërsa 15 kallëzime janë regjistruar, por ka pasur mungesë provash. Kështu Bajrami ka operuar lehtësisht në postin e tij./ZËRI