Aktualitet

SPAK tjetër goditje kundër Call Centerave, shoqërohet një efektiv policie, shpallen në kërkim pronarët

SPAK ka sekuestruar dokumente, pajisje elektronike si dhe para.

F.I
SPAK tjetër goditje kundër Call Centerave, shoqërohet një
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka nisur sot një tjetër aksion me qëlllim goditjen e disa 'Call Center-ave' në Tiranë. Raportohet se në operacion janë përfshirë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policia e Shtetit, ku janë zbuluar disa ambjente ku ushtruhej aktiviteti i paligjshëm. 

Operacioni në bashkëpunim me autoritetet franceze, mësohet se po zhvillohet brenda disa ambienteve në disa zona në kryeqytet, afër shkollës "Sami Frashërit" dhe pranë "Ring Center" dhe vazhdon, ndërsa detaje të reja priten në vijim. Sipas burimeve paraprake, pikërisht nga Franca ka mbërritur sinjali i parë për këtë aktivitet të paligjshëm. 

Burime bëjnë me dije se në kuadër të operacionit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policiore (AMP) ka ndaluar një efektiv policie me kerkesë të SPAK. Ky i fundit, ishte punonjës në komisariatin nr. 1 në kryeqytet. Atij i është marrë telefoni si dhe është kryer kontroll në banesën e tij. Ka dyshime që të përfshirë janë edhe disa te tjerë, pjesë e uniformave blu që janë të përfshirë në këtë rrjet mashtrimi. 

Po ashtu, sipas burimeve, janë shpallur në kërkim pronarët e Call Center-it, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur shumë kompjutera, telefonë, dokumente me të dhëna operatorësh, si dhe të dhëna në lidhje me viktimat e huaja që kanë rënë pre e mashtrimeve.

Deri më tani nuk janë lëshuar masa sigurie, por vetëm masa kontrolli që janë firmosur nga Gjykata e Posaçme. 

Javën e kaluar gjatë një aksioni në kryeqytet u goditën 3 qendra Call-Center, i cili çoi në arrestimin e 7 personave dhe të tjerë të shpallur në kërkim. Konkretisht 7 persona me masë 'arrest me burg', 2 në 'detyrim paraqitje' dhe 'ndalim jashtë vendit', si dhe 5 të tjerë të arrestuar në flagrancë. Hetimet 2 vjeçare, kanë nisur në Austri, aty ku ishte kryer veprimtaria kryesore e mashtrimit dhe operacioni u bë bashkë me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Sipas hetimeve, kjo veprimtari u ka shkaktuar viktimave humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro.

Po ashtu një tjetër godinë u zbulua në fshatin Bërzhitë ku kryhej mashtrimi i qytetarëve të huaj. Ambienti rezulton i regjistruar si biznes në fushën e turizmit mjekësor, çka dyshohet se përdorej si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm./ZËRI

Poll

MOS HUMB