DURRËS-Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar dosjen e tenderit të projektit për ndërtimin e portit në Porto Romano, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkelje në procedurën e prokurimit. Hetimet e SPAK pritet të verifikojnë nëse gjatë zhvillimit të procedurës janë respektuar kriteret ligjore dhe parimet e barazisë në garë. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Autoriteti Portual lidhur me sekuestrimin e dosjes.
Shpallja e fituesit për projektin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano që ishte premtuar për në datën 31 Janar u shty, teksa kompania qipriote Archiridon ka mbetur e vetme në garë deri tani. Projekti për Portin e Ri Tregtar në Porto Romano kap vlerën e rreth 392 milion lekë pa TVSH dhe financohet nga buxheti i shtetit.
Ecuria e këtij tenderi nisi zyrtarisht në fund të vitit 2024, ku në garë u paraqitën pesë operatorë dhe bashkime kompanish ndërkombëtare me peshë në industrinë e ndërtimit detar. Gjatë muajit prill të vitit 2025, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave njoftoi se pas fazës së para-kualifikimit, vetëm kompanitë “Archirodon Construction” dhe “Van Oord Dredging and Marine Contractors” arritën të kalonin filtrat teknikë, ndërkohë që emra të njohur si “Ëebuild” dhe bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga “Jan De Nul” u skualifikuan nga gara.
Ky vendim solli edhe përplasjen e parë ligjore pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Grupi i udhëhequr nga “Jan De Nul” dorëzoi një ankesë zyrtare duke kundërshtuar skualifikimin, por pas shqyrtimit të rastit, KPP vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë në fund të prillit 2025, duke i dhënë të drejtë autoritetit kontraktor të vijonte me hapat e mëtejshëm. Deri në shtator të vitit 2025, situata e garës u ngushtua akoma më tej, ku sipas të dhënave të hapura të prokurimit, vetëm një ofertë ekonomike rezulton e kualifikuar për të vijuar drejt nënshkrimit të kontratës.
Me afatin e ri të mbylljes në mars 2026, projekti pritet të hyjë në fazën e zbatimit, ku fituesi do të ketë në dispozicion një periudhë prej 40 muajsh për të realizuar fazën e parë të portit. Në garë ka mbetur vetëm Archirodon, kompani e cila brenda 9 marsit duhet të paraqesë oferten financiare dhe të finalizohet edhe kontrata për ndërtimin e portit.
Zhvendosja e aktivitetit të portit të Durrësit në një tjetër terren bëri që qeveria të vendoste për zhvillimin e tij në Porto Romano. Mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri është zgjedhur modeli C2. Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det. Në fund të vitit 2022 gjatë prezantimit të projektit u nënvizua se projekti ka një kosto të konsiderueshme ndaj do të kërkojë angazhimin e fondeve buxhetore, fondeve të Autoritetit Portual, grante por edhe sektorin privat duke lënë kështu të hapur mundësinë e PPP. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat.