
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS. SPAK, i pyetur në email për këtë çështje ka kthyer një përgjigje të shkurtër, por konfirmuese. Sipas Prokurorisë, kallëzimi penal është regjistruar, por hetimet janë ende në fazën paraprake.
KËRKESA: Kërkoj informacion në lidhje me një kallëzim penal të bërë prej meje, F.D, në datë 9 Prill 2025 për ndërhyrjen në sistemin TIMS, ngjarje e ndodhur në datat 2-3 gusht 2023. A është regjistruar kallëzimi? Nëse po, në cilën fazë gjendet?
PËRGJIGJIA: Në përgjigje të kërkesës tuaj, e prokolluar më datë 13.06.2025, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale, ju informojmë se: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të materialit kallëzues të depozituar nga shtetasi F.D ka regjistruar procedim penal. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin.
Por opozita kishte pretendime të tjera dhe ngriti Komisioni Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve a mosveprimeve të organeve dhe funksionarëve publikë të ngarkuar me administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave TIMS. Ai u ngrit pas skandalit të denoncuar në radhët e policisë së shtetit dhe arrestimit të ish-drejtorit të IT-së Ervin Muça, i cili akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS. Vetë Muça i ka mohuar akuzat e Prokurorisë ndaj tij, dhe pretendon se nuk ka kryer asnjë vepër penale që cënon të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Madje ai thotë se i ka bërë backup sistemit, por jo se ka marrë të dhëna prej tij./ZËRI