Aktualitet

SPAK godet tenderat e AKSHI, kërkon prangosjen e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, arrest shtëpie për Mirlinda Karçanajn

Masat e sigurisë për Agasin, Karçanajn dhe Beqirin janë konfirmuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së prokurorit të SPAK Bledar Maksuti

E.K
SPAK godet tenderat e AKSHI, kërkon prangosjen e Ergys Agasit dhe Ermal
ergys agasi dhe mirlinda karcanaj

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhërarrest për Ergys Agasin, ndërkohë që për drejtoreshën e AKSHI Mirlinda Karçanaj, ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie. Ndërkohë që masa e sigurisë arrest me burg është dhënë dhe për biznesmenin Ermal Beqiri. Të tre personat e lartpërmendur, akuzohen për abuzime me tenderat në të paktën 12 raste. Si Agasi, ashtu dhe Karçanaj dhe Beqiri, janë thirrur disa herë për t'u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK ende nuk ka dhënë informacion zyrtar nëse urdhërarresti ndaj Agasit është ekzekutuar apo jo, ndërsa në banesën e tij në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë janë duke u ushtruar kontrolle.

Si lidhet Ergys Agasi me sektorin e Teknologjisë së Informacionit?

Ergys Agasi rezulton të jetë futur në këtë treg në mars 2023 duke regjistruar në emrin e tij, kompaninë “EA Solution” me NIPT M31516009A me adresë “Rruga; Ismail Qemali”, pallati Hersi, Kati 2, Hyrja Nr. 6, Tiranë. 

Agasi e mban vetëm një vit kompaninë në këtë adresë dhe transferon zyrat pikërisht…në adresën: Rruga “Hoxha Tahsim” Pallati 152, Hyrja 1, Kati 2, Tiranë.  Është pikërisht e njëjta adresë ku edhe ka zyrat z.Beqiri dhe kompania “Soft & Solution”.

Dokumentet tregojnë se EA Solutions, kompania e Ergys Agasit, është themeluar në mars të vitit 2023 dhe ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro. Për ta thënë thjesht: kompania ka shpenzuar rreth 8 mijë euro në muaj, por fitimet i ka 23 herë më të larta se shpenzimet.

Akuzat e Ahmetajt për Agasin 

Ergys Agasi nuk është vetëm një biznesmen dhe një person i afërt me politikanët në pushtet. Ai është akuzuar publikisht nga ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj edhe për lidhje të drejtpërdrejta me bandat kriminale në Durrës. Sipas raportimeve të ndryshme, ai ka pasur kontakte me elementë të botës së krimit, të cilët janë të lidhur me rrjetet e trafikut dhe të influencës politike në qytetin bregdetar.

Arben Ahmetaj e quajti disa muaj më parë Agasin një koordinator të mirëfilltë të krimit të organizuar, në shërbim të kryeministrit Edi Rama. 

“Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”deklaroi Ahmetaj gjatë një bisede, me një gazetar italian./ZËRI 

Poll

MOS HUMB