TIRANË-SPAK ka dhënë pretencën për ish-drejtorët e ARRSH, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli dhe për ish-kreun e KESH. Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 10 vite burg për Evis Berberin për shkelje të barazisë në tendera në 5 episode, korrupsion pasiv në 6 episode dhe pastrim parash në 1 episod.
Përveç dënimit me burg, është kërkuar edhe ndalimi për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike. SPAK kërkoi edhe konfiskimin e parave të sekuestruara në banesën e Ervis Berberit.
Për Gentian Gjylin SPAK kërkon 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera në 2 episode dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. I njëjti dënim është kërkuar edhe për Erald Elezin, ish-drejtor i KESH, për shkelje të barazisë në tendera, që ulet me 1/3, si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Në listën e të pandehurve janë edhe shumë emra të tjerë, për të cilët kërkohen dënime nga 1 vit deri në 2 vite burg. Në këtë çështje rezulton bashkëpunim mes disa zyrtarëve dhe biznesmenëve, mes tyre Ervis Lami dhe Brunilda Buli, si dhe përfshirje e subjekteve juridike “Net Group” dhe “DAAM”. Sipas prokurorisë Ervis Lami dhe Brunilda Buli kanë bashkëpunuar në fazën paraprake me drejtësinë, dhe për ta kërkoi nga 7 vite e 6 muaj burg dhe në përfundim pezullimin e dënimit.
SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas SPAK, kompania zotërohej prej Berberit.
Po kështu SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARSH, e njjëta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro. Hetimet kanë zbuluar se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme.
Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave. Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e zotit Berberi. Bëhet fjalë për prokurime publike me një vlerë totale prej mbi 2.7 milion euro me tvsh./ZËRI