TIRANË-Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola të arrestuar në kuadër të aksionit të SPAK, pjesë e grupit kriminal, të përfshirë në trafikun e kokainës dhe pastrimit të parave kanë dalë para Gjykatës së Posaçme. GJKKO ka lënë në burg tre të arrestuarit, të cilët akuzohen për trafikimin e rreth 7.5 ton kokainë. Në krye të rrjetit qëndronte biznesmeni Jetmir Pepa, i cili ndodhet në arrati.
Hetimet tregojnë se grupi në fjalë ka operuar gjatë viteve 2019–2021, ndërsa janë evidentuar 8 episode të trafikimit të drogës në sasi të mëdha nga Amerika Latine drejt Holandës e Blegjikës.
Sipas hetimeve të SPAK, në disa raste, ngarkesat e drogës janë kapur dhe sekuestruar nga autoritetet europiane, ndërsa në raste të tjera dyshohet se një pjesë e sasisë ka arritur të kalojë. Në disa prej episodeve, kokaina është fshehur në kontejnerë me produkte ushqimore, si fruta të ngrira, peshk dhe banane, për të shmangur kontrollet doganore.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ndërmarrë sekuestrimin e pasurive që lidhen me Jetmir Pepën. Bëhet fjalë për miliona euro pasuri, përfshirë kompaninë “Pepa Group”, një HEC, hotele, apartamente dhe sipërfaqe toke.
Mir Pepa është një emër i njohur për blutë, pasi në janar 2025 u shpall në kërkim pasi qëlloi me armë në një koncert festiv. Po ashtu në gusht të viti 2024 u bë protagonist pasi Mariela Berisha, nëna e djalit të tij, dhunoi të dashurën e tij, Klea Prenga, në bashkëpunim me të motrën, Antonela Berisha./ZËRI

