
ATHINË- Gazeta e përjavshme greke “Documento” e gazetarit të njohur investigativ Kostas Vaxevanis, i ka kushtuar sot një artikull të gjatë dosjes “Sky ECC”, e cila ka zbërthyer një grup shqiptar me aktivitet të paligjshëm në Greqi. Nga aksioni, sipas mediave greke, u vendosën në pranga greku i identifikuar me inicialet K. G. dhe 45-vjeçari shqiptar Sandër Pemaj. Ky i fundit, aktualisht i dënuar për trafikun e rreth 1.2 ton kokainë nga Karaibet në Greqi. Reportazhi i gazetarëve Myrto Mpoutsi dhe Giannis Tsakarisianos, zbardh detaje mbi veprimtarinë e grupit kriminal, mbi të cilët rëndojnë shumë akuza.
Në bisedat e tyre, dy trafikantët komunikojnë për çështje gjyqësore dhe për lidhjet që kanë në Policinë greke.
Bisedat:
Sandër Pemaj: Deri fund shtatori do jemi mbretër të Athinës. Të jap fjalën.
K.G: Makar ore vëllai im.
Sandër Pemaj: Do duhen edhe çunat për mbulim.
K.G: Dhe Marusin dhe shokun.Ata janë me ne vëlla në gjithçka.
…
Për atë që po ndodhte brenda në një burg të Greqisë u vu në dijeni edhe ministri i Brendshëm grek. Në një e-mail, ministrit i tregohej shërbimi që i bënte oficeri i Policisë, Ilia T., shqiptarit dhe bashkëpunëtorëve të tij në burg. E-maili, i publikuar nga gazeta greke “Documento”, zbulon se Europol kishte kohë që kishte dërguar në Greqi bisedat në “Sky ECC”, por dosja ishte arkivuar nga miku i tij me pretendimin se nuk gjenin dot përdoruesin e atij kodi në aplikacion.
“Për shkak të detyrës së tij, ai siguron informacione të rëndësishme për cështje ku përfshihen ekonomikisht trafikantë shumë të fortë të drogës (kryesisht shqiptarë dhe serbë). Në një çështje sëfundmi të një ngarkese kokaine 67 kg, që u sekuestrua nga njësia e tij në Portin e Pireut, ku ishte përfshirë një futbollist veteran dhe dy specialistë frigoriferash që nxirrnin drogën nga sistemi ftohës i konteinerëve, …. ishte njoftuar shumë më parë kush ishte truri, një baron shqiptar që fshihet pas kësaj organizate kriminale, i quajtur… Madje kishte gjetur edhe personin që do ndërmjetësonte dhe do të fliste me të ditën e arrestimeve për ta trembur dhe shantazhuar. Madje që të kishte sukses shantazhi, kishte dërguar dhe skuadrën Omerta jashtë karburantit që zotëron baroni shqiptar në Pire. Për të mos e përfshirë fare në dosjen hetimore dhe me marrëveshjen që të arrestohen vetëm ndihmësit e shqiptarit, kërkoi dhe mori atë ditë 700.000 euro (Nuk është e madhe shumë për kë e njeh…Fillimisht kërkonte një milion euro),”-shkruhet në email.
BISEDAT kur mes grekut dhe Pemajt përmendej efektivi i Policisë dhe kolegët e tij:
K.G: Çfarë është ky?
Sandër Pemaj: Polic. I.T. Thuaji S. (Oficeri S. T). Është i tij. Për Enin (i akuzuari). 11 shtator. Shkon në gjykatë.
K.G: Çfarë të bëjë S. (oficeri S. T). Çfarë t’i thotë A. (polici A. T).
Sandër Pemaj: Mos të flasin keq në Gjykatë.
*dhe biseda vijon…
Sandër Pemaj: O tiransi... E mban mend? Që u kap me kumbarin.
K.G: Të shkurtrin nga Menidhi? Po vëllaçko kuptova për kë thua. E mbaj mend atë djalë, djalë i mirë. Po, do t’i them unë S. Do vijë të hënën ta dish. Të hënën kam takim.
Në një komunikim tjetër flasin për një ngarkesë me 100 kg kokainë. Edhe pse në burg, Pemaj koordinonte gjithçka! Destinacioni i drogës ishte Gjermania, por nuk e zbulojnë se cili ishte vendi i origjinës.
Sandër Pemaj: Jam … në ataxia (vijojnë biseda me foto nga ngarkesa).
K. G: Ku i kapën?
Sandër Pemaj: Aty ku ndaloi për tranzit. Përpara Zoti në Gjermani ato arrijnë këtë javë
K. G: Mos i q…
Sandër Pemaj: Ato e kanë kaluar rrezikun. 100 janë
K. G: Më thuaj ta rregulloj t’i sjellim
Nga aksioni i nisur, janë lëshuar 28 urdhra arresti, ndërkohë që janë sekuestruar dhjetëra kilogramë kokainë, mbi 1 mijë bimë kanabisi, 140 kg hashash dhe mbi 200 mijë euro cash në kuadër të një operacioni që po zhvillohet në Greqi, pas zbërthimit të komunikimeve në platformën SKY ECC. Deri më tani, mediat greke bëjnë me dije se janë vënë në pranga 20 persona, mes tyre ka dhe shqiptarë e efektivë të policisë greke. Mesazhet e shkëmbyera kanë zbardhur dhe ngjarje kriminale. Një prej tyre është ajo e Ari Papës, shqiptarit që u ezkekutua në vitin 2021. Urdhri për ekekutimin e Papës dyshohet se është dhënë nga Alëksandër Sadikaj, i cili u vra në Tiranë me shpërthimin e një lëndë eksplozive në makinë, në vitin 2022. Në total janë zbardhur rreth 70 episode të trafikut dhe shitjes së drogës, në periudhën mars 2020 – mars 2021. Bisedat kanë zbuluar edhe korrupsionin e zyrtarëve të burgut të Koridhalos, të cilët në këmbim të parave trajtonin disa të dënuar në mënyrë të privilegjuar, duke u futur edhe vajza në qeli./ZËRI