
GREQI- Zbërthimi i mesazheve në platformën SKY ECC ka zbuluar edhe bashkëpunimin e trafikantëve të dënuar shqiptarë me policët grekë. Top Channel ka evidentuar një rast konkret, ku 45-vjecari shqiptar Sandër Pemaj flet me një tjetër person dhe gjatë bisedës jep detaje mbi bashkëpunimin me një efektiv policie. Më konkretisht, shpërndarësi i ankohet Pemajt se polici nuk e ndihmon më, ndërsa shqiptari i dënuar shprehet se efektivi po kërkon të përfitojë dhe për vete.
Pjesë nga bisede:
Shpërndarësi: Është bërë problem i madh, më preu (nënkupton policin)... E ndërpreu bashkepunimin se u dëgjua lart (në qendër) që më ka mbuluar dhe më thotë më fal, nuk mundemi të vazhdojmë.
Sandër Pemaj: Budallallëqe thotë. Në një kohë të shkurtër do të thotë "vëlla, po, e kishin gabim. Ndoshta nuk ishte ashtu, ishte diçka tjetër, le të takohemi përsëri”. A e kuptove? Diçka kërkon ai. Diçka të marrë, e di ti.
Shpërndarësi: Ai mund të ketë frikë, por mos na gatua ndonjë gjë, kam frikë tani, o vëlla. Nuk kam fare besim tek ai, tek tjetri kam plot, me sy mbyllur. Më thotë se dëgjohet shumë lart.
Sandër Pemaj: Ndoshta do “kafe” më të madhe.
Në një tjetër dialog, oficeri i policisë komunikon me Sandër Pemaj ku i thotë: Të të them, një grek do SKUNK, 100 në muaj jep. Ke?
Ndërsa në një bisedë tjetër i njëjti oficer policie i kërkon Pemajt, 10 kg kokainë për një tjetër bashkëpunëtor të tijin.
28 urdhra arresti janë lëshuar, ndërkohë që janë sekuestruar dhjetëra kilogramë kokainë, mbi 1 mijë bimë kanabisi, 140 kg hashash dhe mbi 200 mijë euro cash në kuadër të një operacioni që po zhvillohet në Greqi, pas zbërthimit të komunikimeve në platformën SKY ECC. Deri më tani, mediat greke bëjnë me dije se janë vënë në pranga 20 persona, mes tyre ka dhe shqiptarë e efektivë të policisë greke. Mesazhet e shkëmbyera kanë zbardhur dhe ngjarje kriminale. Një prej tyre është ajo e Ari Papës, shqiptarit që u ezkekutua në vitin 2021. Urdhri për ekekutimin e Papës dyshohet se është dhënë nga Alëksandër Sadikaj, i cili u vra në Tiranë me shpërthimin e një lëndë eksplozive në makinë, në vitin 2022. Në total janë zbardhur rreth 70 episode të trafikut dhe shitjes së drogës, në periudhën mars 2020 – mars 2021. Bisedat kanë zbuluar edhe korrupsionin e zyrtarëve të burgut të Koridhalos, të cilët në këmbim të parave trajtonin disa të dënuar në mënyrë të privilegjuar, duke u futur edhe vajza në qeli.