DURRËS- Dy shpërthime me tritol zgjuan qytetarët e Durrësit këtë të enjte, kur në lagjen nr.11 dhe në Shkallnur, u regjistruan 2 episode të shpërthimit me lëndë plasëse, për fat të mirë, vetëm me dëme materiale. Për shpërthimin në lagjen nr.11, u zbulua identiteti dhe pronari i ambientit, ndërkohë që ende nuk dihet arsyeja dhe porositësit.
"Rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11, Durrës, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale. Gjithashtu, rreth orës 04:30, në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq, është hedhur një sasi lënde plasëse në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar vetëm dëme materiale", njoftoi sot policia.
Por çfarë fshihet pas sulmit në Shkallnur?
Burime i thanë ZËRI, se në shpërthimin në Shkallnur dyshohet se shënjestra ka qenë i riu i familjes Xhepexhiu, i njohur si Almerio Xhepexhiu. 33-vjeçari është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, i skeduar dhe i arrestuar më herët për pengmarrjen e një qytetareje ukrainase, ngjarje e vitit 2017. Së fundmi, ai rezulton se jeton në Dubai, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë konflikti fshihet pas shpërthimit të lëndës plasëse./ZËRI
