VLORË- Kjo është toka në Palasë që dyshohet se qëndron në qendër të konfliktit mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça, përplasje e regjistruar mesditën e sotme në ambientet e Hotel Regina në Vlorë.
Burime për ZËRI-n bënë me dije se konflikti mes tyre lidhet pikërisht me këtë tokë, ku është parashikuar ndërtimi i një resorti nga pronari i "Delta Group". Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke për të cilën dyshohet se të dyja palët pretendojnë të drejta pronësie.
Mësohet se për biznesmeni Luan Muça e kishte blerë tokën, duke marrë edhe vërtetimin e pronësisë. Por, pas përfundimit të procedurave, disa banorë të zonës kanë shfaqur pretendimet e tyre, duke deklaruar se ishin pronarë të së njëjtës pronë. Ndërkohë, biznesmeni Muça ka hyrë në negociata me banorët dhe e ka blerë edhe një herë pronën në Palasë, duke kërkuar më pas leje për zhvillimin e saj.
Por, kjo ska mbaruar me kaq. Biznesmeni Vasil Bedinaj ka blerë një sipërfaqe toke pranë pronës së Luan Muçës, ku dyshohet se një prej parcelave të blera prej tij ka mbivendosje me pronën e blerë nga Muça. Edhe Bedinaj ka marrë vërtetim pronësie për sipërfaqen e tokës, çka ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si e njëjta pronë rezulton e regjistruar në emër të dy pronarëve të ndryshëm.
Kjo situatë dyshohet se ka sjellë konfliktin mes dy biznesmenëve, që përfundoi sot me nxjerrjen e armëve dhe kërcënimit. Biznesmeni dhe pronari i "Delta Group", mesditën e sotme shkoi në hotelin e Vasil Bedinaj, i shoqëruar nga persona të tjerë me armë. Biznesmeni, pronari i Hotel Regina ka kallëuar në polici se është kërcënuar prej tyre, teksa edhe në pamjet e siguruara nga ZËRI duket momenti kur persona të armatosur mbërrijnë në hotelin e tij. Po, ashtu pamje të tjerë tregojnë edhe momentin kur grupi i armatosur është futur brenda ambienteve të hotelit dhe shkon drejt Bedinajt. Ndërkohë, menjehërë pas ngjarjes, është bërë i mundur shoqërimi i disa personave që u kapën në makinë në tentativë për t'u larguar nga vendngjarja. Po ashtu, është shoqëruar edhe biznesmeni Luan Muça./ZËRI
