
TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të shtyjë seancën për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Shkak për shtyrjen e gjyqit është bërë mungesa e një prej të pandehurve të çështjes, Adrian Bulkut.
Ky i fundit e njoftoi Apelin e GJKKO-së se nuk mund të merrte pjesë në seancë, duke kërkuar caktimin e një date tjetër në mënyrë që edhe ai të ishte i pranishëm. Kështu, u vendos që seanca e radhës të mbahet në datën për më 1 korrik në orën 10:30.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është dënuar me 2.8 vite burg. Ndërsa Fiqiri Farruku, Ardian Bulku dhe Fatmir Ejupi u dënuan me nga 2 vite burg, por gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg për të tre duke e konvertuar në shërbim prove. Dako u vu në pranga në qershor të vitit2023 dhe u hetua për dy raste shpërdorimi detyre, për ndërtimin e pallatit 11-katësh dhe për projektin “Promenadë Bregdetare”. Por për akuzat e ngritura ndaj tij ka kërkuar pafajësi./ZËRI