
TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar në lidhe me një shtëpi bari të zbuluar në një godinë në rrugën "Hamdi Pepa" në Selitë. Ndërtesa dy katëshe kishte në përdorim katin e parë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ndërsa kati i dytë ishte shndërruar në një hapësirë për kultivimin e kanabisit.
Sipas gazetares Anila Hoxha, më 10 tetor 2024, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 nisën një hetim të detajuar pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative që sugjeronin se në katin e sipërm të godinës po kultivoheshin bimë narkotike. Gjatë kontrollit, forcat e rendit zbuluan 193 bimë kanabisi, me gjatësi të ndryshme nga 90 deri në 120 cm, të vendosura në vazo të pajisura me aparatura të avancuara për kultivimin e drogës.
Gjithashtu, u sekuestruan edhe rreth 100 bimë kanabis të cilat ishin në fazën e tharjes, ndërsa në vendngjarje u gjetën dhe shtatë fragmente gjurmësh papilare. Organizatori i këtij operacioni, Sajmir Karaj, banues në të njëjtën zonë, është identifikuar nga autoritetet dhe aktualisht është shpallur në kërkim.
“Kati i parë i kësaj godine përdorej dhe ishte në pronësi të ndërmarrjes shtetërore “Prodhim Mobilje Sha”, në të cilën ndodheshin zyra për administratën e kësaj shoqërie. Kjo godinë është e rrethuar me mur rrethues dhe kufizohet me banesa private dhe Xhaminë e Selitës. Këqyrja vazhdoi në katin e dytë, ku nga deklarimet rezultoi që të ishte privatizuar nga shtetasit Vjola Skendo, Agim dhe Kujtim Kryeziu.
Objekti ka hyrje nga ana jugore konkretisht 2 hyrje, përkatësisht për çdo kat nga 1, ku ajo e katit të parë është me kangjella metalike e mbyllur, e siguruar, e pa dëmtuar, ajo e katit të dyte me mur metalik të hapur.
Kati i parë ka hyrje tjetër nga ana lindore, konkretisht 3 (tre) hyrje. Me interes për hetimin është një tubacion uji i cili kalon nëpërmjet një tuneli të improvizuar me drunj dhe rrjetë, që përdorej për këtë aktivitet dhe vjen nga një banese me një distancë rreth 30 metra dhe që lidhet me banesën e shtetasit të dyshuar Sajmir Karaj, të cilit iu ushtrua kontroll në banese dhe u gjendën dhe u sekuestruan termometra me zhivë, dedektor klori, dy palë targa automjeti, një kartë ID”, sipas dosjes.
“Dyshimet për të janë krijuar pasi nga banesa e tij nëpërmjet një tuneli kalonin tubacionet e ujit që shkonin te godina dhe shërbenin për vaditjen e bimëve të kultivuara. Nga kabulli elektrik që furnizonte godinën shtetërore me energji elektrike, ishte bërë një ndërhyrje e paligjshme, duke lidhur një kabull tjetër elektrik dhe duke e dërguar energjinë elektrike në katin e dytë të godinës, ku ishin kultivuar bimët”, thuhet në dosje.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për Erlind Tresa, Reshit Tresa, Asqeri Likaj dhe Elvis Lala, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale të "Kultivimit të bimëve narkotike" në bashkëpunim. Ndërkohë, për Gëzim Gjonpalin, Elton Cenaliun dhe sërish Elvis Lalan, të akuzuar për "Shpërdorim detyre", është kërkuar masa "Arrest në shtëpi". Këta të fundit përballen me një dënim të mundshëm deri në 7 vjet burgim./ ZËRI