
GREQI- Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në Selanik të Greqisë, ku shënjestra ka qenë 24-vjeçari shqiptar, Ronaldo Pecaku. Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, teksa i riu po qarkullonte me një motoçikletë. Autorët e kanë ndjekur dhe e kanë qëlluar në momentin që i riu është futur në rrugën me pagesë. Edhe pse i plagosur me disa plumba në bark, Pecaku ka vazhduar që t'i japë mjetit por në momentin që ka mbërritur në kabinën e pagesës është rrëzuar në tokë.
Menjëherë është njoftuar Policia dhe ambulanca, që e kanë marrë të riun dhe e kanë dërguar në spital. Ende nuk dihen detaje lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të zbuluar se kush janë autorët dhe cili ka qenë motivi për të kryer ekzekutimin e tij, që fatmirësisht dështoi. Nga të dhënat e deritanishme, mësohet se shqiptar ka precedentë penalë në shtetin helen dhe ishte dënuar në vitin 2021 për vjedhje./ZËRI