
GREQI- Një 37-vjeçar shqiptar, i paidentifikuar me emër, ka përfunduar në prangat e Policisë greke. Shqiptari tentoi që të rrëmbente dhe të fuste me forcë në mjetin e tij 3 fëmijë, vëllezër me njëri-tjetrin. Ngjarja ndodhi pak para orës orës 16:00 të së dielës së Pashkëve. 37-vjeçari shqiptar, i cili u konstatua se ishte në gjendje të dehur, por ka tentuar të fuste me forcë tre fëmijë, dy vëllezër 9 e 13 vjeç dhe një djalë tjetër 10 vjeç.
Sipas mediave greke, prindërit e fëmijëve kanë bërë ankesë në Polici dhe autoritetet menjëherë kanë nisur kërkimet për kapjen e shqiptarit. Kur mjeti i tij u pikas nga uniformat blu, ata i bënë shenjë të ndalojë, por ai u arratis. Ai u ndalua pas një ndjekjeje prej 20 minutash.
Nga testi i alkoolit rezultoi se kishte nivel shumë të lartë në gjak, duke regjistruar 0.56 dhe 0.54 gramë për litër. Përveç se në gjendje të dehur, autoritetet kanë zbuluar gjithashtu se ai drejtonte makinën pa patentë të vlefshme.
Kështu ndaj tij ndërkohë rëndojnë disa akuza, që nga tentativa e rrëmbimit, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe rezistencë ndaj arrestimit./ZËRI