
TIRANË- Vijon seriali "Plumbi i artë" në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Edhe sot, para togave të zeza ka dalë sërish i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka vijuar me rrëfimet e tij. Sot, ai është marrë në pyetje nga avokati Sokol Hazizaj, Dumani zbuloi njohjen e tij me Aleksandër Bahon, i njohur si krahu i djathtë i Endrit Alibej. Ndërsa për atentatin ndaj Lulëzim Mashës, theksoi edhe njëherë se porositësi ishte Suel Çela, por u shpreh se shkakun nuk e dinte.
Sokol Hazizaj: Për vrasjen e mbetur në tentativë të Lulëzim Mashës, cili ka qenë shkaku?
Dumani: Porositësi ishte Suel Çela, shkakun nuk e di.
Sokol Hazizaj: Ka lidhje Arben Laze në tentativën e vrasjes së Lulëzim Mashës?
Dumani: Arben Laze nuk ka lidhje fare me ngjarjen e Lulëzim Mashës. Njohjen e parë me Suel Çelën e kam patur në 2021 nga Fatmir Troplini. Aleksandër Bahon e njihja përpara Suel Çelës. Oti Kilën kam dashur ta godas, sepse sipas asaj që më tha Suel Çela ai ishte me Çapjat.
Edhe në këtë seancë, tensionet në sallë janë shkaktuar nga Enver Diva. Ky i fundit, sërish me tone të ashpra i është drejtuar prokurorëve të çështjes, duke i akuzuar se po ushtrojnë presion ndaj tij. Ai pretendon se po kërkohet që të futet në regjimin "41 biss" në mënyrë që të mos të tregojë të vërtetat që ai di.
Enver Diva: A më paguajnë këta të mbyll gojën që të mos flas? Kam parë në televizor që duan të më fusin në regjimin 41-bis. E ka dhënë Top Channel.
Prokurori Behar Dibra: Ne nuk kemi çuar asnjë kërkesë për 41-bis. Përpiqemi të mos shohim shumë televizor. Pretendimin do ta verifikojmë, por nuk ka asgjë të vërtetë deri tani.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyECC": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.
Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI