TIRANË- Katër persona janë shoqëruar lidhur me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm në karburantin "Eida" në Tiranë. Sipas burimeve, janë shoqëruar drejtuesi i automjetit që po furnizohej me gaz në momentin e shpërthimit, menaxheri i pikës, administratori dhe drejtuesi teknik.
Ndërkohë, po verifikohen dhe dokumentacionet e pikës së karburantit sa i takon aktivitetit, kontrolleve dhe lejeve përkatëse sipas ligjit.
Shpërthimi në karburantin “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë, është regjistruar herët mëngjesin e kësaj të mërkure. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar të kryeqytetit, ku pranë pikës së karburantit ndodhen edhe disa banesa. Si pasojë e shpërthimit kanë marre lëndime 3 punonjës të karburantit, të cilët momentin e shpërthimit kanë qenë duke furnizuar me gaz një automjet. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, teksa ëshë shembur edhe një ambient që shërbente si zyrë e karburantit./ZËRI