
SHKODËR- 6 efektivë policie janë pezulluar nga detyra nga AMP në rajonin Shkodrës dhe Lezhës pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Nga hetimet disa mujore dyshohet se këta punonjës policie nuk kanë asgjësuar rreth 1000 bimë narkotike, të cilat u gjetën në proces tharje gjatë një operacioni të zhvilluar në korrik të këtij viti.
Bimët e kanabisit janë konstatuar nga ana e tyre gjatë kontrollit të territorit në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia –Shkodër.
"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" dhe "Ndalim i daljes jashtë shtetit" ndaj 6 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashkëpunim.
Nënkomisar A.B., me detyrë Ekspert kriminalist pranë DVP Shkodër.
Inspektor S.K., me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Inspektor Z.D., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Inspektor K.L., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Nënkomisar GJ.M., i cili në kohën e kryerjes së veprës penale qenë me detyrë Shef i Stacionit Policor në Theth, dhe aktualisht Zv/Shef Seksioni/Specialist në Seksionin Special të Ndërhyrjes Taktike në Njësinë Speciale “RENEA”.
Inspektor F.L., me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Nga hetimet e thelluara disa mujore dyshohet se këta punonjës policie nuk kanë asgjësuar rreth 1000 bimë narkotike, të cilat u gjetën në proces tharje gjatë një operacioni të zhvilluar në Korrik të këtij viti, pavarësisht se janë konstatuar nga ana e tyre gjatë kontrollit të territorit në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia –Shkodër", njofton policia. /ZËRI