
TIRANË- Egert Bakalli, trajneri i Dinamo "U-15" bashkë me lojtarët e skuadrës kanë surprizuar sot në spital Luis Meçen, të miturin që mbeti i plagosur me thikë, në të njëjtën ngjarje që i mori jetën Martin Canit. Siç duket edhe nga pamjet e publikuara në rrjet, shokët e skuadrës i kanë shkuar me një tortë në dorë shokut të tyre, edhe pse ky i fundit ishte në shtratin e spitalit.
Të hënën, adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë./ZËRI