
TIRANË- Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi një takim me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese sot. Gonzato përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi rëndësinë e GJK për garantimin e të drejtave në vendin tonë.
Gjithashtu, ai nënvizoi rolin e rëndësishëm të Kushtetueses në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku përmendi edhe plotësimin e kërkesave të kapitullit 23, i cili ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
"Sot bëra një vizitë në Gjykatën Kushtetuese në shenjë mbështetjeje të BE-së për institucionet e pavarura të drejtësisë në Shqipëri. Jo vetëm që Gjykata është garantuesi i Kushtetutës dhe instanca më e lartë në vend për të mbrojtur të drejtat individuale kushtetuese; gjithashtu ka një rol të rëndësishëm për të luajtur gjatë negociatave dhe në përmbushjen e kërkesave të kapitullit 23, i cili është kyç për anëtarësimin e Shqipërisë,"-shkruan Silvio Gonzato./ZËRI