
TIRANË- Shtyhet seanca për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Pas më shumë se 8 orëve në sallë, trupa gjykuese ka vendosur që të shtyjë gjyqin për në datë 12 dhjetor. Sipas të dhënave që janë mësuar gjatë seancës, ish-ministri ka kërkuar pushim të çështjes ose kthim pas të hetimeve. Por kjo kërkesë do të merret parasysh në seancën e ardhshme që do të mbahet pas pak ditësh.
Po ashtu, Beqaj ka kërkuar pushimin e akuzës, që i ngarkon veprën penale ‘shpërdorim detyre’.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini.
Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë./ZËRI