
ITALI- Një murgeshë është vendosur në pranga në Itali pasi dyshohet se bashkëpunonte me klanin "Ndragheta". Sipas mediave italiane, Policia italiane ka finalizuar ekzekutimin e 25 masave të sigurisë, duke konfiskuar mbi 1.8 milionë euro. Paratë janë sekuestruar nga kontrollet e ushtruara në: Brescia, Reggio Calabria, Milano, Como, Lecco, Varese, Verona, Viterbo dhe Treviso. Grupi kriminal kryente zhvatje, trafik armësh dhe droge, jepte para me fajde dhe pastronte para.
Kush është vendosur në pranga?
Mes të arrestuarve janë 2 politikanë dhe një murgeshë! Politikanët janë ish-këshilltari bashkiak i Breshias nga "Fratelli d'Italia", Giovanni Acri, i cili tashmë është lënë në "arrest shtëpie" dhe Mauro Galeazzi, një ish-anëtar i Lidhjes në komunën Castel Mella. Murgesha e ndaluar është motra Anna Donelli, e cila dyshohet se kishte rolin që të garantonte lidhjen e anëtarëve të grupit jashtë, me ata që ishin brenda në burg.
Galeazzi – tashmë në arrest shtëpie – është kontaktuar nga Stefano Terzo Tripodi, i cili i ka propozuar postin “si kandidat për kryetar të Bashkisë Castel Mella", e si këmbim do t'i jepte kontrata dhe tendera publikë.
"Fakti shqetësues është autoriteti i shoqatës kriminale në krahasim me komunitetin civil. Politikanët lokalë të përfshirë demonstruan marrëdhënien e ngushtë me grupin Tripodi dhe politikanët vendas e njohën autoritetin e grupit të Tripodit. Kjo është një lloj parashteti,"-kështu shpjegoi prokurori i Brescias, Teodoro Catananti.
Kush ishte murgesha e lidhur me grupin kriminal?
Motra Anna Donelli ishte vullnetare për më shumë se një dekadë në burgun e San Vittore (deri në shkurtin e kaluar) - asaj i ka rastisur edhe arbitrimi i ndeshjeve të futbollit mes të burgosurve. Por mesa duket ka pasur edhe një "detyrë" tjetër. Ajo i shërbente Stefano Tripodit për t'i çuar fjalë anëtarëve të grupit brenda në qeli.
Në mesazhe janë kapur fragmente ku ata i referoheshin vullnetares duke përdorur togfjalëshin: "murgesha që punon në burg", "nëse keni nevojë kemi dikë brenda është e jona." Donelli ishte e vetëdijshme për fuqinë e Tripodëve kur mbesa e saj pësoi një aksident: ajo e qetësoi duke i thënë se do të kujdesej për këtë çështje përmes "shoqërisë së saj"./ZËRI