
TIRANË-Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, Ervis Daka dhe Maksim Koçi janë ekstraduar mbrëmjen e djeshme, pak para mesnate, nga Dubai në Shqipëri. Siç shihet në pamjet e publikuara tre bashkëpunëtorët e të shumëkërjuarit të drejtësisë, Talo Çela u sollën në Tiranë nën forca të shumta sigurie me pranga në duar. Të tre iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ardhja nga Dubai u bë tranzit nga Stambolli. Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale, që nga prodhimi i armëve e deri te vrasja me paramendim. Konkretisht Daka është një prej personave që ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë Talo Çelës si dhe ka luajtur rolin e vëzhguesit dhe informatorit në vrasjen e Kei Pikut. 38-vjeçari gjithashtu ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Arjan Spahiut.
Ndërsa Maksim Koçi akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Klevis Kapllanit si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e dy personave të tjerë. Ado Xhika akuzohet se ka ndihmuar personat që kryen atentatin e fundit me snajper kundrejt Ardian Çapjas. Ai gjithashtu ka shoqëruar një gazetar me qëllim intervistimin e Talo Çelës.
Njoftimi i policisë:
Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.
Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.
3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Ëanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./ZËRI