TIRANË- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike mblidhet këtë të hënë për të shyrtuar projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale. Ndërkohë, paralelisht qytetarë të shumtë janë mbledhur në protestë para Kryesisë së Kuvendit kundër reformës territoriale.
Te Ligjet pritet të diskutohet edhe për projektligji socialist, që më pas pritet të kalojë në seancë plenare. Drafti i PS që parashikon uljen e numrit të bashkive përmes shkrirjes së 15 bashkive ka shkaktuar reagime dhe protesta që në prezantim. Kryesisht banorët e bashkive të cilat parashikohen të shkrihen, kanë kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale.
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI