GJIRKOASTËR- Përfaqësues nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilluan sot një seancë konsultimi publik me banorët e qarkut Gjirokastër, e drejtuar nga bashkëkryetari i kësaj reforme, Arbjan Mazniku.
Teksa ata prezantuan shtyllat kryesore të kësaj platforme për ndarjen e re territoriale, një nga të pranishmit në sallë mori fjalën, i cili ishte emigrant prej vitesh.
Gjatë fjalës së tij, qytetari shprehu revoltën për propozimet e reformës së re, duke u shprehur se nëse zvogëlohet akoma më shumë numri i bashkive në vend, kjo do të sjellë rezultate negative.
“Prandaj, kush thotë që duhet zvogëluar akoma më mirë, le të thotë: bëjmë një bashki të madhe, një parti, një mbret, 5 mijë vende bosh dhe ca shërbëtorë që vijnë vërdallë,”- tha ai.
Fjala e plotë:
“Tani problemi është që duhet ta kapim që te A-ja për të shkuar tek XH-ja. Ne bëmë një reformë territoriale-administrative në vitin 2014. Kishim një numër të madh bashkish dhe komunash, i zvogëluam dhe arritëm në numrin 61. Gjatë këtyre viteve, ne nxjerrim konkluzione se kjo reformë, me këtë zvogëlim kaq të madh të numrit të njësive, ka dhënë rezultate negative. Unë, si qytetar, mendoj se pjesa dërrmuese ka dhënë rezultate negative, për arsye se ne nuk e kishim arritur akoma atë infrastrukturë për këto njësi kaq të mëdha, duke marrë parasysh edhe gjeografinë e bashkisë dhe qarkut Gjirokastër. Unë jam banor i një fshati që është 30 kilometra larg nga Gjirokastra. Ai fshati im nuk merr asnjë shërbim nga bashkia. Prandaj, kush thotë që duhet zvogëluar akoma më mirë, le të thotë: bëjmë një bashki të madhe, një parti, një mbret, 5 mijë vende bosh dhe ca shërbëtorë që vijnë vërdallë.”
Reforma Administrativo-Territoriale në Shqipëri mbetet një nga proceset më të debatueshme të viteve të fundit, që prej ndërhyrjes së madhe të vitit 2014, kur numri i njësive vendore u reduktua ndjeshëm nga qindra komuna e bashki në vetëm 61 bashki. Qëllimi kryesor i kësaj reforme ishte rritja e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve, forcimi i kapaciteteve administrative dhe ulja e kostove të qeverisjes vendore. Megjithatë, gjatë viteve të zbatimit, janë evidentuar një sërë problematikash, sidomos në zonat rurale dhe të largëta, ku qytetarët shpesh ankohen për mungesë shërbimesh. Këto shqetësime kanë rikthyer debatin për nevojën e një rishikimi të reformës.
Në këtë kuadër, dy forcat politike PS dhe PD kanë paraqitur qëndrime të ndryshme. Demokratët kanë propozuar rikthimin e komunave në zonat me mbi 1300 banorë, si dhe krijimin e njësive të reja në bazë të popullsisë, duke synuar afrim më të madh të shërbimeve me qytetarët. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka paraqitur 4 skenarë alternativë për riorganizimin territorial, të ndërtuar mbi analiza ligjore dhe përputhshmëri me standardet europiane, veçanërisht Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.
4 skenarët:
Skenari 1- Konsolidimi Funksional: bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues. Avantazhi: zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues.
Rreziku: Mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.
Skenari 2- Konsolidim dhe Decentralizim: bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt. Avantazhi: dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfisht dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse.
Rreziku: Konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.
Skenari 3- Forcimi i Qarkut: ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë, funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë. Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi, shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian.
Rreziku: Kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.
Skenari 4- Rajonet Strategjike: bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së. Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore.
Rreziku: Tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë./ZËRI