Aktualitet

Reagon Meidani pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: Në ç’emër flet kjo gjykatë?

Në një reagim të tij, Meidani vë në pikëpyetje mënyrën se si gjykata ka dhënë vendimin duke theksuar se konteksti historik i luftës në Kosovë nuk mund të ndahet nga procesi gjyqësor.

M.K.
Reagon Meidani pas dënimit të ish-krerëve të
rexhep mejdani dhe hashim thaci

TIRANË- Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka reaguar edhe ish-Presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani.Në një reagim të tij, Meidani vë në pikëpyetje mënyrën se si gjykata ka dhënë vendimin duke theksuar se konteksti historik i luftës në Kosovë nuk mund të ndahet nga procesi gjyqësor. Ai kujton dhunën dhe dëbimet e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës ndërsa shprehet se vendimi është i shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor vijon.

Meidani thotë gjithashtu se drejtësia duhet të jepet por sipas tij ajo duhet të përfaqësojë edhe vullnetin e popullit të Kosovës. Ish-Presidenti kërkon që dënimet të kundërshtohen përmes mjeteve ligjore dhe shprehet se Kuvendi i Kosovës duhet të mbajë një qëndrim institucional ndaj Gjykatës Speciale.

"Kam qenë President i Republikës në vitet e vështira kur Shqipëria dhe populli i saj hapën kufijtë dhe zemrën për vëllezërit e tyre shqiptarë të Kosovës që po dëboheshin nga shtëpitë dhe trojet e tyre nga milicët dhe paraushtarakët e regjimit represiv të Millosheviçit. E kam ndjerë këtë represion qysh prej viteve si pedagog i Universitetit të Prishtinës, sidomos në vitin 1981 e më pas, kur jo vetëm nuk u lejuam për të vazhduar leksionet tona, por dhe na u bënë tepër të vështira kontaktet dhe komunikimet me studentët tanë. Si politikan dhe si Kryetar Shteti përjetova dhe shkallën më të lartë të egërsisë dhe represionit millosheviçian ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që kapi nivele të skajshme gjenocidale.", tha ish-Presidenti.

Duke komentuar aktgjykimin e shpallur në Hagë, Meidani ngre pyetjen se në emër të kujt flet kjo gjykatë, duke vënë theksin te fakti se trupi gjykues nuk përbëhet nga gjyqtarë nga Kosova.

"Aktgjykimi i sotëm në Hagë mban emrin e popullit të Kosovës, por asnjë gjyqtar i atij trupi gjykues nuk i përket Kosovës e nuk e kupton atë, dhe seanca nuk u mbajt as në tokën e saj. Kjo është pyetja që më mundon më shumë se vetë numri i tejzgjatur, pa arsye, i viteve. Në fakt, në ç’emër flet një gjykatë e tillë, kur populli që ajo pretendon ta përfaqësojë s’ka zë e peshë brenda saj, por proteston jashtë saj apo sheshet e Kosovës? Aktgjykimi është i shkallës së parë; procesi vazhdon. Drejtësia e munguar duhet të jepet! Por, ama, duhet ta përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës, jo ta zhgënjejë atë.", tha Meidani.

Ish-Presidenti ndalet edhe te konteksti i luftës në Kosovë, duke argumentuar se përgjegjësia individuale nuk duhet, sipas tij, të ndryshojë vlerësimin mbi rrethanat historike të konfliktit.

"Ajo që nuk vazhdon të diskutohet është konteksti historik: Kosova dhe populli i saj ishin viktimë e dhunës së shtetit serb, jo palë e barabartë me agresorin. Përgjegjësia individuale, nëse do të kishte, assesi nuk mund ta relativizojë atë fakt, as të vërë në pikëpyetje lirinë dhe pavarësinë që Kosova i fitoi me çmim të jetëve njerëzore, veçanërisht të rinjve të saj."

Meidani shprehet se katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kan një vend të rëndësishëm në historinë e Kosovës dhe se vendimi gjyqësor nuk e ndryshon këtë, sipas tij.

"Personalisht mendoj se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë vendin që zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare."

"Në atë kohë, kur liria e Kosovës dhe paqja e rajonit ishin ende një ideal pa siguri, ata guxuan të merrnin mbi supe barrën historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre, në një moment kur çdo gjë rrezikohej e asnjë sukses nuk ishte i garantuar.", tha ish-Presidenti i Shqipërisë.

Në reagimin e tij, Meidani shprehet gjithashtu pranë familjeve të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe thekson se kundërshtimi i një vendimi që konsiderohet i padrejtë nuk bie ndesh me orientimin pro-perëndimor.

"Shqipëria e zgjodhi rrugën perëndimore që në vitet e para të demokracisë, dhe unë e kam mbështetur atë zgjedhje si qytetar e President. Por besnikëria ndaj asaj rruge nuk kërkon heshtje kur diçka na duket e padrejtë."

"Kërkon që t’u kërkojmë aleatëve tanë Perëndimorë që t’u përmbahen, në çdo rast dhe për çdo popull, sado i vogël qoftë ai, parimeve mbi të cilat është ngritur demokracia, mbi të gjitha: liria, barazia dhe drejtësia për të gjithë, pa përjashtim."

Në fund ish-Presidenti kërkon që dënimet të kundërshtohen përmes të gjitha mjeteve ligjore dhe i referohet edhe Kuvendit të Kosovës.

"Prandaj besoj se këto dënime duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, me çdo mjet ligjor në dispozicion. Madje, Kuvendi i Kosovës ka detyrimin të vendosë që kjo gjykatë, në formën e sotme, nuk meriton të vazhdojë të flasë në emër të një populli që s’e njeh si të vetin", përfundoi Meidani./ZËRI

Poll

MOS HUMB