KOSOVË- Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka sjellë reagime të menjëhershme në Kosovë. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Sala Jashari ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme dhe të nisë procedurat institucionale për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Në deklaratat e saj pas shpalljes së vendimit Jashari tha se deputetët duhet të ndërmarrin hapa institucionalë dhe të hartojnë një rezolutë për qëndrimin e Kuvendit ndaj zhvillimeve në Hagë.
"PDK do t’i marrë të gjithë hapat, por unë si Sala Jashari kam bërë thirrje kryesueses së Kuvendit që të bëjmë thirrje të menjëhershme që nesër ta fillojmë seancën. Të gjithë deputetët do të kthehen nga Haga dhe të fillojmë me seancë. Të fillojmë në formën institucionale që t’u dalim në zë çlirimtarëve tanë."
Sipas deputetes së PDK-së, një prej hapave që duhet të ndërmerret është kërkimi i mënyrave institucionale për ndryshimin e statusit të Gjykatës Speciale.
"Do të kërkojmë të gjitha format që të zhbëjmë Gjykatën. Por, mbi të gjitha, është shumë e nevojshme të dërgohet mesazhi që çlirimtarët nuk dënohen në emër të popullit."
Jashari kërkoi gjithashtu që Kuvendi të miratojë një rezolutë përmes së cilës t’u përcillet ndërkombëtarëve qëndrimi se UÇK-ja nuk duhet të barazohet me përgjegjësinë individuale të personave të dënuar.
"Unë madje kam bërë thirrje tashmë, ne duhet të krijojmë një rezolutë që t’i tregohet të gjithë ndërkombëtarëve e të gjithë të tjerëve që asnjë moment UÇK nuk dënohet në emrin e popullit shqiptar. Duhet të fillojë çdo procedurë sa më shpejt."
Deputetja e PDK-së e cilësoi ditën e shpalljes së aktgjykimit si një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe bëri thirrje që partitë politike të bashkohen për të diskutuar hapat institucionalë.
"Ajo që dëgjuam sot është tragjike për Kosovën. Është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të bashkohen, sidomos ato shqiptare, e të diskutojnë. Është moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës."
Jashari kritikoi gjithashtu mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor në Hagë duke e cilësuar atë si politik. Këtë qëndrim ajo e lidhi edhe me një thirrje qëështë bërë nga avokati i Hashim Thaçit për nisjen e procedurave për zhbërjen e Gjykatës.
"Sigurisht që Gjykata është krijuar dhe çlirimtarët kanë shkuar me idenë që gjithçka le të jetë e drejtë, por deri tash e kemi parë që gjykata nuk ka qenë në asnjë formë e drejtë, ka qenë krejtësisht politike."
Deklaratat e Jasharit vijnë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara i gjeti katër ish-drejtuesit e UÇK-së përgjegjës penalisht për një sërë krimesh lufte ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit u rrëzuan.
Në përfundim të deklaratës së saj, deputetja e PDK-së u bëri thirrje edhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe maturinë pas vendimit të Hagës.
"Ne duhet ta ruajmë qetësinë dhe maturinë. Kjo është diçka që na prek të gjithëve dhe duhet të na bashkojë të gjithëve. Në asnjë formë të lëndojmë policët dhe njerëzit tanë."/ZËRI