
IRAN-Sipas një raporti tepër sekret prej pesë faqesh nga shërbimi i inteligjencës së Pentagonit , bombardimet amerikane të Fordow, Natanz dhe Isfahan në orët e para të së dielës nuk i eliminuan plotësisht pajisjet e centrifugimit të Iranit, as rezervat e tij të uraniumit të pasuruar.
Sulmet me shumë gjasa bllokuan aksesin në disa objekte, por nuk shkatërruan struktura nëntokësore dhe kështu vetëm vonuan programin bërthamor të Iranit për disa muaj
Vlerësimi fillestar i klasifikuar i Pentagonit për bombardimet amerikane në Iran, mbi të cilin u bazuan raportet që zemëruan Trumpin dje, thotë se efekti i tyre ishte i kufizuar dhe se ato e vonuan programin bërthamor të Iranit vetëm për disa muaj. Raporti thotë se bombardimet nuk i shkatërruan objektet nëntokësore iraniane.
Konkretisht, sipas vlerësimit të DIA-s, bombat thjesht bllokuan hyrjet në objektin Fordow, i cili ndodhet në thellësi të madhe, ndërsa vetë infrastruktura e ndërtesave nëntokësore mbeti e paprekur. Dokumenti pesëfaqësh, bazuar në vëzhgime nga CENTCOM, thotë gjithashtu se autoritetet iraniane mund të kenë hequr tashmë rezervat e uraniumit të pasuruar nga objektet e synuara para sulmeve.
Donald Trump pretendoi se bombardimet amerikane në orët e para të së dielës shkatërruan plotësisht objektet në Isfahan, Natanz dhe Fordow. Ai gjykoi se operacioni ushtarak i dha fund programit të energjisë bërthamore të Republikës Islamike./ZËRI