TIRANË-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi për tërheqjen nga tregu të qumështit formulë për foshnja, “APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gram Advanced” pas një alarmi të ardhur nga Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore, RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani është konstatuar prania e substancës “cereulide”, një toksinë që mund të shkaktojë helmim ushqimor. Simptomat përfshijnë të vjella dhe dhimbje barku, ndërsa rreziku është veçanërisht i lartë për foshnjat.
Sipas të dhënave, operatori i biznesit ushqimor që ka importuar produktin është kompania “Rossman Lala”. Në total janë futur në Shqipëri 648 njësi të këtij qumështi formulë, nga të cilat 276 kuti janë shpërndarë në tregun vendas dhe po kryhet tërheqja e tyre, ndërsa 372 njësi janë eksportuar në Kosovë.
"Jemi njoftuar nga sistemi Europian për një produkt qumësht formulë Aptamil Advance Pronura 800gr me datë skadencë 10-12-2026. Produkti në fjalë është importuar nga nga Rossman Lala dhe është shpërndarë në rrjetin e zinxhirit: Durrës, Tiranës, Fier, Shkodër dhe inspektorët tanë kanë qenë të angazhuar në terren për tërheqjen e tij nga tregu me qëllim asgjësimin e tij.”- njofton AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se produkti është shpërndarë në disa qytete të vendit, përfshirë Durrësin, Tiranën, Fierin dhe Shkodrën, ndërsa inspektorët janë angazhuar në terren për të siguruar tërheqjen dhe asgjësimin e tij.
ZËRI ishte media e parë në Shqipëri që denoncoi në dokumentarin “Qumështi i Ndaluar”, fenomenin e përhapur masivisht në Shqipëri të promovimit të qumështit formulë. Rreth dy vite pas këtij denoncimi, shqetësimet e ngritura nga ZËRI u reflektuan në një rast konkret: tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “NAN 1 OPTIPRO”, pasi u konstatua prania e bakterit cereulide, i cili shkakton probleme serioze gastrointestinale tek foshnjat dhe sot edhe me tërheqjen e “Aptamil AR2”. Rastet tregojnë se rreziku nuk është teorik, por real. Produktet që promovohen gjerësisht në rrjete sociale dhe rekomandohen shpesh pa analiza të thelluara dhe pa udhëzimin e specialistëve mund të përbëjnë një kërcënim për shëndetin e fëmijëve./ZËRI
