
VLORË- Një 44-vjeçar është arrestuar në Selenicë në Vlorë, pasi në gjendje të dehur ka qëlluar me armë zjarri. 44-vjeçari me pretendimin se disa të mitur po e bezdisnin qëlloi në ajër disa herë me armë zjarri, duke kërcënuar jetën e banorëve. Më pas ai u arratis nga banesa e tij dhe u gjet pas 12 orësh nga Policia në një mal në fshatin Brataj.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe Forcën Operacionale në DVP Vlorë, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, kanë zhvilluar kërkime të pandërprera gjatë gjithë natës, në kushtet e një terreni të vështirë malor dhe të pyllëzuar. Si rezultat, sot në mesditë, në kodrat e fshatit Brataj, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 44 vjeç, banues në fshatin Brataj.
Në momentin e kapjes, shërbimet e Policisë sekuestruan dhe armën e zjarrit tip kallashnikov, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ky shtetas kishte qëlluar në ajër mbrëmjen e djeshme. 44-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, në gjendje të dehur dhe pas një konflikti të çastit, si dhe me pretendimin se disa të mitur po e bezdisnin, ka shkuar në banesë, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe te të miturit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, tha Policia. /ZËRI