
KORÇË- Një plagosje me thikë dhe përforcues grushti ka ndodhur pasditen e sotme, në lagjen nr.10 në Korçë. Sipas informacioneve paraprake të bëra me dije nga Policia, një 16-vjeçar është qëlluar me thikë nga një 21-vjeçar. Po sipas të dhënave të para, raportohet se i mituri dhe i riu janë konfliktuar për motive banale. Më pas, situata ka agravuar. Aktualisht adoleshenti i dëmtuar, ndodhet në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Paralelisht, Polica ka nisur nga puna për kapjen e 21-vjeçarit dhe 2 bashkëpunëtorëve të tij që janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë.
Sipas dëshmisë së 16-vjeçarit, ai sapo përfundoi mësimin dhe do të shkonte në shtëpi, dhe 21-vjeçari me dy persona të tjerë e ofendojnë. Ai tregon se ata më pas dolën nga makina dhe e sulmuan. I mituri shprehet se u përpoq të mbrohej, por ata e sulmuan dhe e lënduan në fytyrë.
"Sa dola nga shkolla dhe do ikja në shtëpi. Më vijnë me makinë tre persona, të cilët po hidhnin fjalë fyese e më pas dy prej tyre dolën dhe më sulmuan. Ishte Rei që nxori thikën dhe unë u mundova të mbrohesha por arriti të më dëmtonte në fytyrë. Në atë moment, ata hipën në makinë dhe u larguan menjëherë kurse unë shkova në marketi afër shkollës dhe kërkova ndihmë", ka thënë 16 vjeçari.
Po ashtu edhe dëshmitarët thanë se sherri ka ndodhur pa asnjë motiv, por një kalimtare kishte parë targën e makinës dhe ia dha policisë.
"Sapo kishte mbaruar mësimi, kur erdhi një nxënës që po mbante dorën në fytyrë por gjaku vazhdonte ti rridhte. Na kërkoi kartopeceta dhe u ul tek trotuari. I dhamë ujë për ta qetësuar dhe brenda pak minutash ambulanca e mori. Një kalimtare e rastësishme kishte parë targën e makinës së autorëve dhe ja dha policisë. Dëgjuam nga nxënësit e tjerë që konflikti kishte ndodhur kot, pa asnjë motiv", shprehen dëshmitarët që kanë parë sherrin.
NJOFTIMI I POLICISË:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 13:20, në lagjen nr. 10, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi R. Ç., 21 vjeç dhe 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjet prerës (thikë) dhe me përforcues grushti, një shtetas 16 vjeç.
16-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët dyshohet se janë larguar me automjet. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e 2 shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit./ZËRI