Aktualitet

Vritet me armë zjarri në kokë shqiptari në Spanjë, autorët e braktisin në derën e spitalit

Autoritetet njoftuan se ai ishte plagosur me armë zjarri në kokë dhe ishte ende gjallë kur u braktis në derën e spitalit, por më pas ndërroi jetë.

I.F
Vritet me armë zjarri në kokë shqiptari në Spanjë,
Foto ilustruese

BLANES- Një shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në Girona, Barcelonë. Sipas mediave të huaja, trupi i shqiptarit është lënë në derën e një spitali nga 3 persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 ditën e djeshme.

Autoritetet njoftuan se ai ishte plagosur me armë zjarri në kokë dhe ishte ende gjallë kur u braktis në derën e spitalit "Blanes", por më pas ndërroi jetë.

Identiteti i tij ende nuk është bërë me dije, por mësohet se ai është rreth të 30-ve. Deri më tani një prej autorëve është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë së Blanes, por ende nuk dihet roli i tij në këtë ngjarje, nëse ka qenë personi që e ka qëlluar në kokë apo një nga bashkëpunëtorët që e ka lënë atë në derën e spitalit. Efektivët njoftojnë se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e dy autorëve të tjerë. Sipas kamerave të sigurisë, autorët janë larguar me një mjet tip "Audi" të zi. 

Kjo vrasje lidhet edhe një herë me trafikun e drogës së marihuanës, një biznes fitimprurës dhe shumë i rrezikshëm, i cili e ka kthyer Katalonjën në prodhuesin më të madh të kësaj droge, e cila eksportohet në të gjithë Evropën gjeneron miliona përfitime. Hetimet e policisë për të çmontuar organizatat shqiptare nuk ndalen, por nuk i pengon ato, ashtu si vetë bimët, të mbijnë në të gjithë vendin. /ZËRI

Poll

MOS HUMB