
PISA- Një shqiptar është vrarë me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij në Pisa në Itali. Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Beni Arshiaj, 37 vjeç.
Bëhet me dije se ai është vrarë sapo ishte kthyer nga puna dhe në vendngjarje ishte prezent dhe djali i tij i mitur, ndërsa autorët raportohen se janë 2 burra të cilët më pas u larguan me shpejtësi nga skena e krimit. Nga ana tjetër, fqinjët dëshmuan para autoriteteve se pas krimit ata panë dy persona që u larguan me një motoçikletë, por ende nuk dihet nëse ata janë të lidhur me vrasjen. Ndaj tij është qëlluar pesë herë, nga të cilat njëra ishte fatale që e kapi në kokë dhe në njërin sy.
Zona ku u krye vrasja, po rindërtohej, ndaj nuk ka as kamera sigurie, kështu që e gjithë dinamika e vrasjes është rindërtuar nga dëshmitarët okularë. Ishin banorët e zonës që treguan se autorët ishin dy persona, por nuk i kishin identifikuar dot.
“Një breshëri të shtënash. "Ne menduam se ishin fishekzjarre,"- u shprehën disa prej banorëve të zonës të cilët po festonin në qytet.
37-vjeçari pa precedentë penale të mëparshëm, jetonte në Itali dhe punonte si murator. Ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Policia italiane ka nisur hetimet rreth kësaj ngjarje të rëndë. Aktualisht, kufomës së shqiptarit po i bëhet ekspertiza, ndërsa uniformat blu kanë marrë edhe celularin e viktimës për të kuptuar nëse mund të ketë të dhëna që ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes./ZËRI