Aktualitet

Pushimet u kthyen në makth! Turistët izraelitë helmohen nga azoti në Hotel Vlora Priam: Ramë në dysheme, por akush...

Ngjarja është bërë publike nga mediat izraelite, pasi një turiste ka rrëfyer për episodin, duke treguar se ajo dhe familjarët e saj përjetuan dridhje trupore, të vjella, dobësi fizike, konfuzion dhe humbje të ndjenjave gjatë qëndrimit në hotel.

zh.ll
Pushimet u kthyen në makth! Turistët izraelitë helmohen nga azoti
foto ilustrim: pamje nga hoteli dhe dhoma ku ndodheshin izraelitet

VLORË- Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në një hotel në Vlorë, ku dhjetëra turistë izraelitë kanë përfunduar në spital pasi kanë shfaqur simptoma të rënda shëndetësore.

Ngjarja është bërë publike nga mediat izraelite, pasi një turiste ka rrëfyer për episodin, duke treguar se ajo dhe familjarët e saj përjetuan dridhje trupore, të vjella, dobësi fizike, konfuzion dhe humbje të ndjenjave gjatë qëndrimit në hotel.

Disa prej turistëve kanë ngritur dyshime se simptomat mund të jenë shkaktuar nga një rrjedhje e mundshme nga sistemi i kondicionimit, por ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Ngjarja ka ndodhur në Hotel Vlora Priam, në qytetin bregdetar të Vlorës.

Çfarë ndodhi?

Turistja Racheli, banore e Kfar Saba në Izrael, kishte udhëtuar në Shqipëri për pushime familjare së bashku me fëmijët, motrën dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Ata ishin akomoduar në hotelin “Vlora Priam”, ku gjatë natës nisën të shfaqnin probleme shëndetësore.

Sipas rrëfimit të saj për median izraelite “Mako”, situata nisi kur vajza e saj e vogël u ankua se nuk arrinte të lëvizte këmbët. Menjëherë pas kësaj, edhe Racheli dhe familjarë të tjerë nisën të ndiheshin keq, duke shfaqur simptoma si dridhje trupore, të vjella, dobësi fizike dhe konfuzion.

“Shkova të shihja çfarë kishte dhe menjëherë pas kësaj fillova të ndihesha keq. Ndjeva një ndjesi të pazakontë dhe dhimbje në të gjithë trupin, si dhe fillova të vjell. Motra ime u përpoq të më ndihmonte, por edhe ajo nisi të kishte dridhje”, ka treguar Racheli.

Por, sipas rrëfimit të saj, gjendja është përkeqësuar brenda pak minutash. Madje, ajo thotë se disa prej familjarëve humbën ndjenjat dhe kërkuan ndihmë nga recepsioni i hotelit.

“Arritëm në një pikë ku nuk mund të ecnim më. Kishim dridhje të forta, humbëm kontrollin e trupit dhe ndiheshim sikur ishim në një mjegull të plotë. Nuk arrinim të funksiononim.

Ishim shumë të hutuar dhe mezi kontrollonim veten. Kërkuam një mjek dhe telefonova djalin tim të madh, i cili ishte në një kat tjetër të hotelit. Kur erdhi, na gjeti në dysheme. Ishte një pamje e vështirë. Ai kishte parë ambulanca jashtë hotelit dhe shumë persona të tjerë jashtë dhomave të tyre”, tha ajo.

Megjithatë, Racheli ka shprehur kritika për reagimin fillestar të shërbimeve të emergjencës, duke pretenduar se familja e saj nuk u transportua menjëherë në spital. Sipas saj, ndihma e shpejtë u dha serum dhe trajtim fillestar, por më pas u largua nga ambientet e hotelit.

“Dështimi më i madh ishte që nuk na dërguan urgjentisht në spital. Erdhën paramedikët, na dhanë injeksione dhe na vendosën serum, por më pas u larguan duke na lënë aty. Na thanë se pas 15 minutash do të ndiheshim më mirë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, vetëm pas rreth një ore, kur gjendja e tyre nuk u përmirësua, familja u dërgua në spital. Turistja izraelite pretendon se në urgencë i kanë thënë se fëmija duhet të dërgohet në spital. 

“Nuk na kontrolluan as nivelin e oksigjenit në gjak dhe as tensionin e gjakut, gjëra bazike. Në urgjencë na thanë se vajza ime duhej të shkonte në një spital tjetër për fëmijë. U thashë se nuk do ta lija vetëm dhe se do të qëndronte me mua”, tregoi Racheli.

Pas mbërritjes në spital, sipas rrëfimit të tursites, atje janë takuar edhe me turistë të tjerë të hotelit që kishin përjetuar simptoma të ngjashme, përfshirë dhimbje koke, të vjella dhe ndjesi konfuzioni. Por, sipas Rachelit, pacientëve u janë dhënë shpjegime të ndryshme për gjendjen e tyre, nga sulme paniku deri te infeksione virale.

“Ne e kuptuam më vonë se ndoshta bëhej fjalë për një rrjedhje azoti nga kondicioneri. Lexuam për simptomat dhe ato përputheshin”, tha ajo.

Ajo shtoi se një turist tjetër, i cili ishte dërguar në një spital tjetër, i kishte thënë se mjekët e kishin lidhur gjendjen e tij me thithjen e azotit të çliruar në ambient.

“Na tregoi se vëllai i tij kishte qenë në dhomë, kishte ndier një erë të fortë nga kondicioneri dhe më pas kishte humbur ndjenjat”, u shpreh Racheli.

Pas largimit nga spitali, familja u kthye në hotel për të marrë sendet personale, por Racheli pretendon se nuk pati asnjë interesim nga drejtuesit e hotelit për gjendjen e tyre shëndetësore.

“Askush nuk na pyeti si ishim apo si ndiheshim. U ndjemë të braktisur dhe sikur po përpiqeshin ta shmangnin gjithë këtë situatë, sikur të mos kishte ndodhur kurrë”, tha ajo.

Së bashku me një çift tjetër izraelit të prekur nga incidenti, Rachel dhe familja e saj kanë bërë kallëzim pranë autoriteteve dhe kanë kërkuar hetim të plotë për ngjarjen. Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e simptomave, ndërsa hoteli dhe autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar një raport përfundimtar mbi rastin.

Poll

MOS HUMB